Maqedoni
Këshilli Gjyqësor vendosi: Shkarkohet kreu i Supremes, Jovo Vangellovski
10.09.2019 17:43
Pas tre orë diskutimesh, Këshilli Gjyqësor shkarkoi kreun e Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovskin...

Pas tre orë diskutimesh, Këshilli Gjyqësor shkarkoi kreun e Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovskin, për shkak të kryerjes joprofesionale dhe joetike të funksionit.
Për u. d. kryetar i Gjykatës Supreme është zgjedhur gjykatësi suprem, Faik Arsllani. Kërkesa për shkarkim ishte dorëzuar që në dhjetor të vitit 2017.
Pas vendimit të Këshillit, Vangelovski ka të drejtë për të ankimuar në Gjykatën Supreme. Kryetar i Këshillit, Zdravev, thotë se ekzistojnë shumë kërkesa tjera për përcaktimin e përgjegjësisë së gjykatësve.
“Me Ligjin e ri të Këshillit Gjyqësor, çdo qytetar mund të dorëzojë parashtresë për përcaktimin e përgjegjësisë të gjykatësve ose për fillimin e procedurës disiplinore. Nëse dikur disa propozime ishin vetëm në formë të parashtresave, tani u shndërruan në kërkesa të qarta për përcaktimin e përgjegjësisë së gjykatësve ose kryetarëve të gjykatave”,- tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev.
Vangellovski pas 20 viteve përvojë pune në fushën e avokaturës, në vitin 2008 u zgjodh gjykatës në Gjykatën Supreme, 2 muaj më pas ai u zgjodh edhe si kryetar i së njëjtës.
Vangellovski në disa raste u përmend edhe në materialet e përgjuara të LSDM-së që kishin të bëjnë me rastin “Global”, njëkohësisht ai dha dëshmi në prokurorinë e rregulkt edhe për dyshimet që kishin organet hetuese për kurdisjen e lëndëve dhe sistemit AKMIS.
Viteve të fundit, Vangellovski hyri në “luftë juridike” edhe me lëndët e PSP-së, duke i kontestuar të njëjtat.
REXHEP QAMILI
