Maqedoni

Von Der Leyen: BE s’ndryshon vlerat, vendet aspirate të dëshmohen

10.09.2019 17:55

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ka paraqitur përbërjen e ekipit të saj në Komisionin Evropian.....

Nga gjithsej 27 komisionerët e qeverisë evropiane, për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë me interes të veçantë është Komisioneri për Zgjerim, post në të cilin Ursula von der Leyen ka zgjedhur hungarezin, Laslo Troçanji. Duke folur për Ballkanin Perëndimor, Leyen tha se ky rajon vendos vetë se si do të lëvizë drejt BE-së. Thekson se Ballkani Perëndimor duhet të dëshmojë se dëshiron të ndajë vlerat e njëjta me BE-në. 
 
“Varet nga vetë vendet se si ato do të lëvizin drejt Evropës. Flasim për vlerat dhe rregullat që i kemi në Evropë dhe që nuk ndryshohen.  Janë vlera fondamentale.  Nëse vendet duan të na bashkëngjiten, duhet të na dëshmohen dhe të punojnë për të pasur vlerat dhe kushtet e njëjta dhe duhet të na dëshmojnë se janë të gatshme të jenë anëtare të BE-së”,- tha kryetarja e KE-së, Ursula Von Der Leyen.
 
Maas: RMV dhe Shqipëria, përparim real drejt BE-së
 
Ndërkohë që Gjermania pritet të vendos për fatin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, ministri i jashtëm gjerman, Heiko Mass, në pres konferencë me  ambasadorin kroat,  Radman,  ka konfirmuar edhe njëherë mbështetjen e tij për hapjen e bisedimeve  të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE-në. Edhe Kroacia, e cila do të udhëheq me BE-në nga 1 janari, mbështet procesin eurointegrues të Ballkanit Perëndimor.
 
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë progres real dhe unë nuk kam çfarë të them tjetër. Duhet t’iu ofrojmë këtyre dy vendeve një perspektivë te besueshme evropiane dhe duhet të nisim bisedimet për anëtarësim. Kjo është diçka të cilën ne nuk po e diskutojmë vetëm në qeverinë gjermane, por edhe në Bundestag ku duhet të merret një vendim”,- tha ministri i jashtëm i Gjermanisë, Hajko Mass.
 
Procesi eurointegrues, Dimitrov për vizitë pune në Bruksel dhe Berlin
 
Shefi i Diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, vazhdon ndërkohë turin diplomatik për të diskutuar me partnerët e rëndësishëm europianë, hapat e mëtejshëm  që do të jenë vendimtarë për marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në.  Pas takimeve në Paris, ministri Nikolla Dimitrov vazhdon turneun evropian, fillimisht  me një vizitë pune në Bruksel, e më pas edhe në Berlin.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU