Ekonomi

Masat për mbështetje të bizneseve, Angjushev: Aplikoni që të ktheni investimet

10.09.2019 18:37

Zëvendëskryeministri, Koco Angjushev, prezantoi para Odës Ekonomike masat e fundit...

Zëvendëskryeministri, Koco Angjushev, prezantoi para Odës Ekonomike masat e fundit të qeverisë për të mbështetur investimet në sektorin e prodhimit dhe subvencionet për paga deri në 6.000 denarë, që do të hyjnë në fuqi nga 1 tetori i këtij viti. Angjushev u apeloi firmave që të aplikojnë deri në fund të muajit për këtë masë, mjetet financiare janë siguruar që vjet e të njëjtat në tërësi do të paguhen deri më 25 dhjetor. Vitin e ardhshëm premtoi se për masën do të sigurohen 40 milion euro.
 
“4,000 ndërmarrje kanë të drejtë të aplikojnë për këtë masë. Disa nga ato katër mijë kompani ishin të ftuar në këtë takim. Aplikoni, pa marrë parasysh se çfarë është investimi juaj, do të merrni një pjesë të fondeve ashtu siç parashihet me ligj”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
 
Sektori i biznesit: Përshëndesim masat, kemi pengesa administrative
 
Sektori i biznesit megjithëse përshëndet masat qeveritare, ankohet se pengesat administrative ngadalësojnë punën e tyre.
 
“Në prodhim nuk guxon të ketë vonesa më të mëdha se 7 ditë. Masat që qeveria ndërmerr për të na ndihmuar janë në rregull, por ka shumë probleme të pazgjidhura. Edhe nëse marrim ndihmë nga shteti, si mund ta shfrytëzojmë të njëjtën kur hasim në kaq shumë vështirësi”,- u shpreh biznesmeni, Mirosllav Gjorgiovski.
 
Angjushev pranon se administrata është e ngadalshme dhe bën probleme. Paralajmëroi hapjen e shpejtë të një zyre të veçantë ku kompanitë mund të njoftojnë on-line për problemet e tyre në mënyrë që të reagohet në kohë.
 
SEDAT SELIMI