Botë

Prokuroria kërkon 12 vite burg për Saimir Tahirin

10.09.2019 19:27

Prokuroria ka kërkuar 12 vjet për ish-ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri...

Prokuroria ka kërkuar 12 vjet për ish-ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri, në një seancë që ka zgjatur rreth 7 orë.
 
Kërkesa e Prokurorisë ulet për dënim me 8 vite burg, për shkak se Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e ish-ministrit për gjykim të shkurtuar, që automatikisht e ul dënimin me 1/3 e tij.
 
Ish-ministri ka preferuar të mbrohet vetë në seancë, duke hedhur poshtë akuzat se në kohën kur ishte ministër u kishte dhënë mbështetje grupit të Habilajve, të dënuar tashmë në Itali për trafik ndërkombëtar droge.
 
Pas seancës, Tahiri ka mohuar kategorikisht akuzat, duke mos e përjashtuar përfshirjen e tij në politikë në të ardhmen.
 
Tre janë akuzat e ngritura ndaj ish ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri: “Trafikim i narkotikëve në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar  kriminal”.
 
Seanca për të pandehurit e tjerë të kësaj dosjeje është shtyrë për datën 19 shtator, ditë kur pritet që Gjykata e Krimeve të Rënda të japë vendimin për ish-ministrin.
 
LULJETA NDOKA