Amerika përkujton 11 shtatorin, nderohen në heshtje viktimat e terrorit

11.09.2019 10:05

Shtetet e Bashkuara por edhe mbarë bota, përkujtojnë sot 18-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të v. 2001...

Presidenti, Donald Trump, dhe bashkëshortja e tij Melania nga Shtëpia e Bardhë i përkushtuan respekt me një minutë heshtje rreth 3000 viktimave, e më pas vazhduan në ceremoninë përkujtimore në Pentagon, ku merr pjesë dhe ish presidenti, George Bush, president në momentin e sulmeve. 

Përkujtime u mbajtën edhe në Shanksvill në  Pensilvani, në fushën ku u përplas aeroplani 93 e që la të vdekur 40 persona.

Edhe liderët e Kongresit si dhe anëtarët e Dhomës, iu kushtuan respekt viktimave me në një moment heshtjeje.

Ceremonia përkujtimore në Qendrën Botërore të Tregtisë “Ground Zero” shënoi gjashtë momente kyçe nga ajo ditë me nga një minutë heshtje, dy herë shënuan kohën kur dy aeroplanët goditën kullat, dy herë shënuan kohën e rënies së dy kullave dhe nga një herë për sulmet në Pentagon dhe në Fluturimin 93.

Familjet e viktimave lexuan emrat e të vrarëve në sulme. Sulmi ndaj kullave binjake u krye nga një grup prej 19 vetash, 15 prej të cilëve nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Më 11 shtator 2001, 2.752 viktima të pafajshme u shkaktuan nga përplasja e avionëve në kullat binjake, prej tyre 343 ishin zjarrfikës dhe 60 policë,  pjesa më e madhe e viktimave ishin civilë të 70 kombësive të ndryshme. 

11 shtatori nuk ndryshoi vetëm historinë e Amerikës, por të mbarë botës.

LEUNORA KALIQI