Zaev: Ofruam zgjidhje, VMRO-DPMNE nuk i pranoi
Kryeministri Zoran Zaev sqaroi sot se çfarë është ofruar nga maxhoranca mbrëmë në takimin e liderëve....

Kryeministri Zaev sqaroi sot se çfarë është ofruar nga mazhoranca mbrëmë në takimin e liderëve. Sipas kreut të LSDM-së, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, është i gatshëm të sakrifikojë marrjen e ftesës, vetëm për të mbrojtur kriminalitetin në radhët e partisë së tij.
Sipas Zaevit, opozita ka kërkuar që të gjitha lëndët e PSP-së deri më 30 qershor 2017, t’i marrë prokurori i propozuar nga ana e tyre; Të ndërpriten të gjitha lëndët pas 30 qershorit, respektivisht, të mos precizohet qartë me Ligjin për Prokurori Publike se çfarë do të ndodhë me ato lëndë që janë në procedurë parahetimore dhe hetimore; Të mbetet Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me çka vetë të zgjedhin dhe të shkarkojnë prokurorë.
Zaev sqaroi se pushteti ka kërkuar formimin e një prokurorie të re e cila do të përndjekë korrupsionin e lartë, kryeprokurori i saj të jetë me propozim të opozitës, ta zgjedh Parlamenti dhe ta verifikojë Këshilli i Prokurorëve Publikë.
Prokuroria e re do të ishte në të njëjtin nivel sikurse Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Lëndët u siguruan të kalojnë të gjitha te kryeprokurori republikan, Lubomir Joveski, pavarësisht a janë në procedurë parahetimore, hetimore apo gjyqësore, Joveski do të vendoste se si do të veprohej me lëndët, çfarë do të punohej, ku do të shpërndaheshin etj. Lëndët gjyqësore do të vazhdonin aty ku janë, duke iu caktuar prokurorë.
Lëndët që janë në procedurë hetimore dhe parahetimore të vlerësohen nga Joveski i cili do të vendoste se çfarë do të ndërmerret ndaj tyre. Joveski do të vlerësonte se a ka dëshmi të mjaftueshme që ndaj lëndëve të hapet edhe aktakuzë.
Zaev thotë se shumica parlamentare nuk ka asnjë problem që të hetohet korrupsioni deri në funksionarët më të lartë, por është kundër që lëndët e hapura tashmë të lihen në harresë e ata që kanë shkelur ligjin të shpëtojnë.
Duhet të luftojmë që shteti ligjor të funksionojë për të gjithë njësoj, potencoi kryeministri Zaev. Vetëm përforcimi i Prokurorisë dhe i sistemit gjyqësor është garanci për drejtësinë, tha kryeministri. Pohoi se ishin shumë pranë marrëveshjes, por në fund gjërat dështuan për shkak të këmbënguljes së VMRO-së që, sipas tij, kërkon shpëtim për personat nën hetim. Sqaroi se të gjitha lëndët e PSP-së do të vazhdojnë të hetohen e gjykohen deri në përfundimin ligjor të të njëjtave. Kjo do të garantonte se të gjitha lëndët do të çohen deri në fund, do të siguronte edhe të punësuarit dhe dokumentacionin aktual në PSP.
Megjithatë, kryeministri është i prerë se vendi nuk ka alternativë tjetër përveç vazhdimit të negociatave.
