Mayweather, mbret i ringut

14.09.2014 16:06

Në mbremjen e Las Vegasit, gjigandi amerikan mundi me pikë rivalin Maros Mejdana...........

Flojd Mejveder konfirmohet mbret i ringut duke mbrojtur gjerdanët WBA dhe WBC.

Në mbremjen e Las Vegasit, gjigandi amerikan mundi me pikë rivalin Maros Mejdana pasi të tre gjyqtarët votuan në favor të tij në përfundim të 12 raundeve.

Suksesi i 47-të në karrierën e Mejvederit erdhi pa shumë vuajtje sepse përballja pati vetëm një drejtim, ndërsa në raundin e tetë, një episod i dyshimtë kafshimi nga Mejdana në dorën e Flojdit turbulloi situatën. Mejveder e Mejdana ishin përballur edhe në muajin Maj ku amerikani fitoi por e pati më të vështirë për t’u imponuar ndaj rivalit.

Këtë herë argjentinasi kishte premtuar revanshin por muzika në ring nuk ndryshoi. Mejdana mori në total 166 goditje, ç’ka bëri që gjyqtarët të mos kishin asnjë hije dyshimi në momentin e vendimit.

Boksieri amerikan fitoi plot 24 milionë Euro nga kjo përballje, pa llogaritur këtu bonuset nga të drejtat televizive. Kjo fitore i hap rrugën përballjes kundër filipinasit Manu Paqinao, sfidë e cila do të zhvillohet në vitin 2015.