Maqedoni

Subvencione për kondicionerët inverter, Makraduli: Kurseni para, mbroni ambientin

11.09.2019 16:00

Në kuadër të planit qeveritar për ajër të pastër, në komunat e Shkupit, Tetovës, Manastirit dhe Kërçovës....

Në kuadër të planit qeveritar për ajër të pastër, në komunat e Shkupit, Tetovës, Manastirit dhe Kërçovës, Qeveria do të subvencionojë zëvendësimin e mjeteve për ngrohje, që si lëndë djegëse përdorin drurin, me kondicioner inverter të cilësisë së lartë. Zëvendësministri i ambientit, Jani Makraduli, bëri të ditur se qytetarët e zonave me ndotje enorme do të kenë mundësi të shfrytëzojnë mbulim prej 100% të shpenzimeve për furnizim me kondicionerë inverter. 
 
"Harxhimet vjetore për ngrohje për hapësirë prej 60 metrash katror me kondicioner inverter kushton 11.734 denarë, nëse përdorni dru kjo do të kushtonte 18.586 denarë dhe nëse përdorni naftë për amvisëri do të kushtonte 43.038 denarë. Përveç ngrohjes në periudhë dimri, kondicioneri gjatë verës si vlerë shtesë e freskon hapësirën ku është vendosur",- tha zëvendësministri i ambientit, Jani Makraduli.
 
Për implementimin e kësaj mase pritet zgjidhje ligjore, që do të parashihte ndarjen e vauçerëve me shumën e nevojshme për blerjen e kondicionerëve me inverter. Ende nuk është definuar shuma e mjeteve që do të ndahet. Zëvendësministri Makraduli bëri të ditur se do të ketë dënime për ata që kanë nënshkruar marrëveshjen për furnizim me kondicionerë dhe vazhdojnë ngrohjen me dru.
 
GYLTENE SINANI