Përkujtohet 11 shtatori, aksion për dhurimin e gjakut në Shkup

11.09.2019 16:11

Ambasada e Amerikës në bashkëpunim me Kryqin e Kuq....

Ambasada e Amerikës në bashkëpunim me Kryqin e Kuq për të 11 herë me radhë shënuan përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në ShBA përmes një aksioni për dhurimin e gjakut dhe grumbullimin e produkteve ushqimore.

Shkupi i bashkëngjitet kështu aktiviteteve të ngjashme në të gjithë botën në kujtimit të rreth 3 mijë personave që humbën jetën.

“Jemi krenarë me partneritetin që kemi me Kryqin e Kuq dhe Institutin e për Mjekësi të Transfuzionit për të siguruar mbështetje për dhurim të gjakut që shpëton jetë dhe për të siguruar ndihmë në ushqim dhe të holla për personat në nevojë në Maqedoninë e Veriut. Derisa nderojmë ata që humbën atë ditë, është me rëndësi të kujtojmë që pas emrit të çdo viktime është një fytyrë, një jetë dhe shumë histori guximi në momentet e një tmerri të paimagjinueshëm”,- tha ambasadorja e ShBA-së, Kate Marie Byrnes.

“Nuk mund dhe nuk guxojmë që aq shpejtë t’i harrojmë ngjarjet e historisë sonë, asaj të afërme dhe asaj të largët, dhe jo vetëm që ato mbesin si kujtime në vetëdijen kolektive, por edhe që të na udhëzojnë dhe mësojnë neve dhe gjeneratat e reja si të jemi të përgatitur për reagime adekuate, ndihmesë dhe mbështetje”,- tha sekretari gjeneral i Kryqi të Kuq, Sait Saiti.

Vitin e kaluar rreth 400 persona dhuruan gjak, që përbën numrin më të madh deri më tani. Sipas ambasadores Byrnes, ky është shembull i mrekullueshëm për atë se si një shoqëri e përbërë nga persona me prejardhje të ndryshme dhe bindje të ndryshme politike, etnike e fetare, bashkohen për të bërë një ndryshim pozitiv. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)