Maqedoni
Takimi Zaev-Mickovski, pa marrëveshje, Zaev: Kërkesa e vetme e opozitës mbetet amnistia
11.09.2019 16:31
Takimi mes kryeministrit, Zoran Zaev, dhe kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski...

Takimi mes kryeministrit, Zoran Zaev, dhe kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, për harmonizimin e qëndrimeve rreth projekt-ligjit për Prokurorinë Publike përfundoi pa sukses. I zhgënjyer nga rezultati mbeti vetë kryeministri Zaev. Sipas tij, kërkesa e vetme e opozitës ka qenë zhbërja e të ashtuquajturave “bomba”, përkatësisht ndërprerja e të gjitha rasteve të proceduara nga Prokuroria Speciale dhe amnisti për zyrtarët e pushtetit të kaluar të dyshuar dhe akuzuar për krime.
“U përballëm me kërkesë të pamundur. Kërkesë që është kundër çdo logjike, kundër drejtësisë, kundër BE-së dhe NATO-s, kundër qytetarëve dhe vlerave, kundër vlerave dhe standardeve dhe parimeve. Ata kërkojnë që lëndët e Prokurorisë Speciale të jenë në kontrollin e tyre që përfundimisht edhe të ndalohen. Ky ishte qëllimi kryesor. Kërkojnë që t’ua zhbëjmë krimin. Nuk i intereson as BE, as NATO, as sundimi i ligjit, as interesi i qytetarëve, as përparimi i vendit. Prandaj është vështirë që të arrihet marrëveshje. Prandaj mbrëmë nuk arritëm marrëveshje”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Meqë opozita refuzonte që Prokuroria Speciale të shkrihet në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion, të drejtuar nga Villma Ruskovska, pushteti ka ofruar mundësinë për formimin e një prokurorie të re për të luftuar krimin dhe korrupsionin në nivele të larta, ku prokurori do të zgjidhej me propozim të opozitës, por lëndët e Speciales t’i marrë kryeprokurori publik, Ljubomir Jovevski, dhe ai të vendos për shpërndarjen e tyre nëpër prokurori. Edhe ky propozim është refuzuar nga Mickovski.
“Ofruam formimin e një prokurorie të re, e cila do të ndjek korrupsion të lartë, ku prokurori i parë do të zgjidhet me propozim të opozitës. Por, atyre nuk iu intereson lufta kundër korrupsionit, atyre u intereson që të shpëtojnë krimin e regjimit. Të zhbëhen lëndët, të ndalen, të mbyllen, të anulohen.”- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev përsëriti qëndrimin se lëndët e Prokurorisë Speciale do të vazhdojnë të procedohen në gjykata, jashtë ndikimit politik, dhe se nuk ka në plan të bëjë kompromise për këtë çështje. Sipas tij, nëse mosmiratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike ndikon negativisht në vendimin për marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në, opozita duhet të marrë përsipër përgjegjësinë.
SHPËTIM NUREDINI
