Maqedoni

Mickovski: Zaev do kontroll në prokurori që të mbrojë krimin

11.09.2019 17:17

Bisedimet dështuan pasi Zaev dëshiron të mbrojë krimin....

Bisedimet dështuan pasi Zaev dëshiron të mbrojë krimin, akuzon kështu lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hrisitian Mickoski. Sipas tij, Zaev në takimin e liderëve ka ardhur me plan që të mos arrihet marrëveshje. Sipas Mickoskit, qëllimi i Zaevit ka qenë transferimi i lëndëve nga Prokuroria Speciale në atë Publike. 
 
“Zaevi vetëm dëshiron që të mbajë ndonjë kontroll ndaj Prokurorisë. Të mundet të kontrollojë dhe të udhëheqë, të japë urdhra, fshehë dhe mbyllë raste. Kontrolli i duhet që të mos japë përgjegjësi për “Zhvatjen”, por edhe për “Zhvatjen 2”, “Zhvatjen 3”, “Zhvatjen 4” dhe të gjitha rastet tjera. Zaevi dëshiron që ta bëjë të ligjshëm krimin nga radhët e tij. Ai erdhi në këto bisedime që të mos ketë sukses. Ai ka plan C, pasi që plani B nuk kishte sukses. Lëndët e PSP-së t’i dorëzojnë në Prokurorinë Publike dhe kështu Zaev blen paqe edhe ndonjë muaj, por përgjegjësi do të ketë”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Kërkesa për amnisti, të cilën e ka shprehur Zaev, sipas Mickovskit, është një nga arsyet kryesore që ka sjellë deri në mosarritjen e marrëveshjes. Mickovski thekson se Zaev nuk ka pranuar që prokuroria e re të merret me korrupsionin e të gjitha lëndëve pa marrë parasysh kohën e lëndës dhe kryerësin e veprës.
 
“Zaev propozoi formim të prokurorisë për korrupsion të lartë në nivel të njëjtë si Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, prokurorinë ta propozojë partia më e madhe opozitare dhe këto dhjetëra ndihmës të Janevës së bashku me rastet e PSP-së të inkorporohen në kuadër të prokurorisë së re, pa u respektuar Ligji i prokurorëve, të cilin praktikisht duhet ta propozojë Këshilli për prokurorë se cilët prokurorë duhet të punojnë atje”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Mickovski shtoi se ka pasur propozim marrëveshje që më 30 gusht, e atëherë LSDM-ja e ka pranuar, ndërsa ditën tjetër prishën procesin negociues.
 
ERSAN PAJAZITI