Maqedoni

Inspektorati për zbatimin e gjuhëve, përplasje në Komisionin për sistem politik

11.09.2019 18:16

Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe krijimi i Inspektoratit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit....

Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe krijimi i Inspektoratit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit në fjalë ka përplasur pozitën dhe opozitën, në punën e Komisionit për sistem politik. Zëvendësministri, Oliver Ristovski, elaboroi ligjin, por nga BDI me vërejtje se është e pakuptimtë që në ligj nuk po definohen sanksionet të cilat duhet të ekzistojnë për institucionet që nuk zbatojnë ligjin, por edhe cilat institucione obligohen në përdorimin e ligjit në fjalë. 
 
“Në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, në nenin 20, parashihet sjellja e një ligji për krijimin e inspektoratit për përdorimin e gjuhëve, i cili do të jete në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Ky organ inspektimi do të ketë drejtor i cili do të emërohet nga Qeveria”,- tha zëvendësministri i drejtësisë, Oliver Ristovski.
 
“Duhet t’i definojmë institucionet të cilat do të jenë temë e inspektimit, duke filluar që nga neni 4 në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, ku themi në punën e Kuvendit zbatohet ky ligj, në nenin 5 në punën e Qeverisë, kartëmonedhat, gjykatat, prokurorinë, procedurat e noterit. Mendoj se duhet në nenin 6 taksativisht t’i numërojmë, sepse mund të kemi pasoja”,- tha deputeti i BDI –së, Rexhail Ismaili.
 
Për VMRO-në, sjellja e këtij ligji dhe krijimi i inspektoratit është hap i përshpejtuar, kërkojnë të pritet mendimi i Komisionit të Venecias. Për BDI-në jo vetëm që nuk është e shpejtuar, por implementimi i ligjit po vonohet.  
 
“Pse po shpejtohet me sjelljen e një ligji të tillë dhe vendosjen e një trupi të tillë, i cili do ta mbikëqyrë përdorimin e Ligjit për gjuhët dhe pse nuk pritet së pari mendimi i Komisionit të Venecias. Kolegu Ismaili potencoi vetëm dy nene të cilat nuk janë të definuara, por ka edhe shumë të tjera. Kur deputetët tanë pohonin në Kuvend se do të ketë masa ndëshkuese, ne jemi kritikuar se po trillojmë gjëra”,- tha Magdalena Manaskova nga VMRO-DPMNE.
 
“Nuk mendoj se jemi duke shpejtuar, por përkundrazi jemi vonuar në disa çështje, sepse ligjin e kemi sjellë në janar, pra kanë kaluar 9 muaj, a ne para 3 muajve është dashtë të zbatohet neni 7 i Ligjit për përdorimin e gjuhëve”,- u shpreh deputeti i BDI–së, Rexhail Ismaili.
 
Me gjithë përplasjet, propozim ligji mori 7 vota pro, asnjë kundër dhe një të përmbajtur dhe u dërgua në lexim të dytë.
 
FITIM KRYEZIU