Maqedoni
Dallimet në Ligjin për PThP-në, Osmani: Me vullnet politik, zgjidhja gjendet
11.09.2019 18:28
Dallimet rreth Ligjit për Prokurorinë Publike nuk janë të patejkalueshme....

Dallimet rreth Ligjit për Prokurorinë Publike nuk janë të patejkalueshme, e tani është pikërisht momenti i duhur që liderët politikë të shkojnë përtej pozicioneve të tyre fillestare për të gjetur një zgjidhje përfundimtare. Kështu tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, i cili theksoi se Bashkimi Evropian jep mesazh të qartë për fillimin e bisedimeve dhe që Këshilli i BE-së e pranoi mesazhin pa dhënë ndonjë pikë shtesë referimi për fillimin e negociatave. Ai vlerëson se liderët politikë e kuptojnë rëndësinë dhe askush nuk do të lejojë që vendi të dështojë në tetor.
“Kuptohet që është shumë me rëndësi, Ligjin për Prokurorinë Publike ta miratojmë përpara tetorit. Ajo që patëm bisedime të gjata jep mundësinë që dallimet të kuptohen dhe të trajtohen në tavolinë si dhe mundësinë që bisedimet të vazhdojnë edhe më tej, që të gjendet zgjidhje. Jam optimist sepse pyetjet janë me rëndësi për qytetarët. Me vullnet të madh politik mund të gjendjet zgjidhje”,- tha Bujar Osmani nga BDI.
Mospjesëmarrja në takimin e liderëve, Osmani: Në ligj janë përfshirë qëndrimet e BDI-së
I pyetur se pse BDI nuk mori pjesë në mbledhjen e mbrëmshme, Osmani tha se ata nuk ishin të pranishëm si palë sepse nuk janë pjesë e problemit. Ai shtoi se mbeti vetëm çështja e gjuhës, e cila u trajtua gjithashtu nga Komisioni Parlamentar me amendament, si dhe çështja e vendosjes me Badinter në zgjedhjen e drejtuesve të institucionit e cila duhej të formohej. Sa i përket çështjeve të tjera, tha ai, ato kanë qëndrime të njëjta.
“Si Qeveri kemi të njëjtin qëndrim në lidhje me Ligjin për Prokurorinë Publike dhe bashkërisht sollëm ligjin në seancën qeveritare. Në Ligj janë të përfshira edhe qëndrimet e BDI-së”,- u shpreh Bujar Osmani nga BDI.
Osmani konsideron se konsensusi në këtë moment është shumë më i rëndësishëm se cilido qëndrim dhe plan unilateral. Kemi përfunduar të gjitha çështjet kryesore të reformave në gjyqësor me konsensus, tha Osmani, dhe rikujtoi në zgjidhjet të cilat u miratuan me dy të tretën e votave, si Plani 3-6-9 dhe Plani 18.
FARIJE DAUTI BAKIJU
