Botë

A e shkeli presidenti Kushtetutën? Verdikti i “Venecias” për Metën, më 11 tetor

11.09.2019 19:38

Komisioni i Venecias do të dalë më 11 tetor me një opinion nëse presidenti i Republikës, Ilir Meta...

Komisioni i Venecias do të dalë më 11 tetor me një opinion nëse presidenti i Republikës, Ilir Meta, e ka shkelur ose jo Kushtetutën me vendimin për të zhdekretuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.
 
Pas takimeve që zhvilluan përgjatë dy ditëve, kreu i delegacionit të Komisionit të Venecias tha se e ka një konkluzion mbi ligjshmërinë apo jo të vendimit të kryetarit të shtetit.
 
“Jemi të kënaqur me takimet e zhvilluara në Tiranë. Kemi marrë informacione të mjaftueshme lidhur me atë që kërkonim. Konkluzionet tona do t’i dorëzohen Komisionit Hetimor të ngritur për këtë çështje, më 11 tetor”,- tha drejtuesi i delegacionit të Komisionit të Venecias, Kaarlo Tuori.
 
Ndërkaq, deputetja demokrate, Rudina Hajdari, tha se anëtarët e Komisionit të Venecias kanë kërkuar informacione mbi situatën në Shqipëri.
 
Një informacion mbi takimin e sotëm, e ka shpërndarë në rrjetet sociale edhe kryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit, Ulsi Manja. Ai tha se “Komisioni Hetimor “Meta” dhe Komisioni i Venecias do ta trajtojnë këtë rast në aspektin ligjor, duke u nisur nga parimet dhe standardet më të larta profesionale dhe kushtetuese”.
 
Gjatë qëndrimit në Tiranë, delegacioni i Komisionit të Venecias zhvilloi takime edhe me presidentin e Republikës, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin Rama, përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës brenda e jashtë Parlamentit. 
 
LULJETA NDOKA