Shkarkimi i Vangellovskit, rrjedh afati tetëditor për ankesë
5 vota mjaftojnë në këshillin 9 anëtarësh të gjykatësve...

5 vota mjaftojnë në këshillin 9 anëtarësh të gjykatësve, për të vendosur nëse do të pranojnë ose jo ankesën e ish kryetarit të Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski. Por, Këshilli mund të mblidhet vetëm pas ankesës së Vangellovskit, i cili ka 8 ditë afat për ta dorëzuar.
Tre gjykatës zgjidhen nga Gjykata Supreme, dy nga gjykata ku deri para shkarkimit ka punuar gjykatësi, nga një gjykatës zgjidhet me zgjedhje të rastësishme nga katër gjykatat e Apelit në vend (Shkupi, Manastiri, Shtipi dhe Gostivari).
E kjo do të thotë se për ankesën e Vangellovskit do të vendosin 5 gjykatës të Gjykatës së Lartë dhe 4 gjykatës nga përzgjedhja rastësore nga gjykatat e rretheve. Vendimi për shkarkimin e shefit të Supremes u mor të hënën, dy vite pas kërkesës për vërtetimin e përgjegjësisë së tij.
Me 7 vota pro, këshilli vendosi se Vangellovski ka punuar në mënyrë të papërgjegjshme e joprofesionale.
Shkas për shkarkimin e tij, edhe pse me vonesë, u bë vendimi i Këshillit Penal për ta lëshuar nga paraburgimi biznesmenin, Sead Koçan, që në atë kohë ishte në arrati. Koçani u kthye në vend pas këtij vendimi të Gjykatës së Lartë dhe aktualisht vuan dënimin për rastin “Trust”.
Kërkesa për vërtetimin e përgjegjësisë, në këtë rast e Vangellovskit, ishte dorëzuar që në kohën e mandatit të ish kryetarit të këshillit, Zoran Karaxhovski, por ai asnjëherë nuk e vuri në rend dite. Një ndër vendimet më kontroverse që u soll në mandatin e dytë të Vangellovskit, ishte mendimi që e cilësoi PSP-në si jokompetente për të ngritur hetime pas afatit ligjor, vendim ky që shkoi në favor të të dyshuarve në rastin “Perandoria”, të cilët u lanë të lirë nga Gjykata.
Vangellovski nuk është i panjohur për opinionin. Zëri i tij dëgjohet në “bombat” e publikuara, teksa kurdis një lëndë gjyqësore me ish-ministrin, Mile Janakieski, edhe në bisedën mes një zyrtari të lartë me një person tjetër, të cilët shpalosin momente komprometuese për të. Edhe Prokurorja Speciale e paraburgosur, Katica Janeva, përmend atë në një raport të veçantë, si një gjykatës, madje në pozicionin e kreut të Gjykatës më të Lartë, që zbaton urdhra partiake, por as këto publikime nuk e detyruan Vangellovskin që vetë të japë dorëheqje. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
