Maqedoni
PSP e gatshme t’i dorëzojë lëndët në PPR. Ristoska: PSP akoma ekziston, ka mandat edhe një vit
12.09.2019 16:03
Prokuroria Speciale Publike shprehet e gatshme që menjëherë t’i dorëzojë të gjitha lëndët që posedon, me shkresa dhe dëshmi...

Prokuroria Speciale Publike shprehet e gatshme që menjëherë t’i dorëzojë të gjitha lëndët që posedon, me shkresa dhe dëshmi, në Prokurorinë Republikane të Maqedonisë së Veriut.
Për detaje rreth pranim-dorëzimit do të informojnë në mënyrë plotësuese, thonë në një njoftim për media nga PSP. Vendimi për dorëzimin e lëndëve vjen pasi prokurorja speciale, Katica Janeva, nga paraburgimi, si e dyshuar në rastin "Zhvatja" jep autorizim prokurorëve specialë që lëndët të dorëzohen në Prokurorinë Republikane në krye me Lubomir Joveskin.
Si pasojë e këtij vendimi javën e fundit anulohen gjykimet, ku aktakuzën e përfaqësojnë prokurorë të PSP-së. Përderisa partitë nuk mund të dakordohen rreth Ligjit për Prokurorinë Publike, ku përfshihet edhe fati i PSP-së, prokurorja speciale, Lençe Ristoska, deklaroi se edhe përkundër rëndësisë së madhe për miratimin e ligjit, PSP akoma ka mandate dhe ekziston.
“Në shumë herë apeluam për rëndësinë e miratimit të atij ligji. Kumtesa jonë e fundit tregon për më shumë arsye se pse është i rëndësishëm të miratohet, kështu që PSP akoma ekziston, akoma funksionojmë sipas Ligjit të PSP-së deri në shtator të vitit 2020. Ashtu që besoj se do të gjejnë zgjidhje”,- tha prokurorja speciale, Lençe Ristoska.
Akoma mbetet e panjohur se si do të veprojë kryeprokurori Joveski rreth përfaqësimit të lëndëve në procedurë të mëtutjeshme gjyqësore edhe pse në një deklaratë paraprake nuk ka përjashtuar mundësinë që lëndët të vazhdojnë të përfaqësohen nga prokurorë të PSP-së.
FLORIJE BELULI KAMBERI
