Incident në Klinikën “Shën Naumi i Ohrit”, sulmohet stafi mjekësor dhe roja
Në Klinikën Universitare “Shën Naumi i Ohrit”, i njohur si Spitali i qytetit....

Në Klinikën Universitare “Shën Naumi i Ohrit”, i njohur si Spitali i qytetit, mëngjesin e sotëm rreth orës 2:40 minuta ka ndodhur një incident, pasi në repartin e urgjencës është paraqitur një pacient i moshës rreth 40 vjeçare, me lëndime në krahun e majtë dhe me plagë të hapur, i cili pas trajtimit adekuat nga ana e stafit ka filluar t’i sulmojë verbalisht ata, deklaroi zëdhënësi i Klinikës, Burim Elezi.
“Pacienti është trajtuar në mënyrë të saktë dhe të përgjegjshme, mirëpo nuk e di nga cili shkak pacienti ka filluar verbalisht t’i fyejë të punësuarit, më saktësisht specializantët dhe një specialist, nga ai rast ka intervenuar edhe roja e spitalit. Në atë moment pacienti së bashku me personat që kanë qenë me atë, diku rreth tre-katër persona, e kanë sulmuar fizikisht rojën e spitalit, ka ndodh një tollovi, nga ku është thirrur edhe policia, të cilët e kanë zbardhur rastin në atë moment”,- deklaroi zëdhënësi i Klinikës universitare “Shën Naumi i Ohrit”, Burim Elezi.
Personat e sulmuar nuk kanë lëndime serioze, ndërsa pas incidentit spitali ishte i mbyllur deri në orët e hershme të mëngjesit për të evituar çfarëdolloj incidenti tjetër. Edhe nga MBP e kanë konfirmuar rastin në fjalë.
“Më 12.09.2019 policia ka privuar nga liria S. M. (31) nga Shkupi, për shkak se rreth orës 02:45 në Spitalin e përgjithshëm të qytetit të Shkup “Shën Naumi i Ohrit” sulmoi fizikisht një roje sigurie dhe dy policë, të cilët po kryenin veprimet zyrtare pas kërkesës për ndërhyrje pas një sulmi fizik ndaj një punonjësi në spital. S. M. është dërguar në një stacion policie dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të ngrihet padi përkatëse. Gjithashtu në bazë të Ligjit për kundërvajtje dhe prishje të rendit dhe qetësisë publik do të ngrihet padi dy persona të tjerë që ishin po shoqëronin personin S. M.”,- thonë nga MPB.
Pas këtij incidenti, Oda e Mjekëve ka kërkuar takim urgjent me ministrat e shëndetësisë dhe punëve të brendshme, pasi brenda disa ditësh ka pasur sulme të njëpasnjëshme drejt mjekëve. Në kumtesën e Odës së Mjekëve të Maqedonisë theksohet se “Oda e mjekëve kupton nevojat e problemeve shëndetësore të pacientëve dhe të të afërmve të tyre, mirëpo nuk tolerohet dhunë mbi personelin medicinal”.
Njëherit, Oda e Mjekëve apelon që secili në suaza të integritetit të tij të bashkohet në mbrojtje kundër dhunës së të punësuarve, ndërsa kërkon që spitalet dhe të gjitha objektet që ofrojnë ndihmë shëndetësore, t’u garantohet siguri kualitative dhe profesionale. Sulm ndaj mjekut ditë më parë ka pasur edhe në spitalin e Tetovës. Por, në të njëjtin spital ka pasur edhe ankesë nga një pacient se është sulmuar nga mjeku. (Leunora Kaliqi, TVM2)
