Maqedoni
Fati i PSP-së, Petrovska: PSP duhet të vazhdojë në kuadër të PP-së
12.09.2019 17:38
Prokuroria Speciale duhet të vazhdojë të funksionojë dhe të mbajë shkallën e autonomisë...

Prokuroria Speciale duhet të vazhdojë të funksionojë dhe të mbajë shkallën e autonomisë që në mënyrë të përshtatshme të integrohet në kuadër të Prokurorisë Publike të vendit.
Ky është qëndrimi i grupit –Bluprint, që ndjek reformat në sistemin gjyqësor në vend. Sipas tyre, përgjimet si prova materiale doemos duhet të përdoren gjatë procedurave gjyqësore.
“PSP, si institucion, duhet të vazhdojë të funksionojë edhe më tutje në kuadër të Prokurorisë Publike sipas rregullave hierarkike dhe me autorizimet që i kishte deri më tani kuptohet të modifikuar sipas rregullave të hierarkisë. Lidhur me provat mbetemi në qëndrimin se video dhe audio materialet që janë pjesë e lëndëve dhe arkivit të PSP-së janë të domosdoshme të përdoren edhe më tutje gjatë procedurave”,- tha Natali Petrovska nga Grupi Bluprint.
Lidhur me emërimin e prokurorëve, Petrovska theksoi se propozimet e tyre si grup janë plotësisht në kundërshtim me propozimin e VMRO-DPMNE-së që nëse formohet një departament për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, shefi i asaj prokurorie do të ishte me propozimin e opozitës.
“Ne kemi një qëndrim kategorik dhe jemi të mendimit që zgjidhjet politike nga e kaluara nuk duhet të jenë praktike në të ardhmen. Ato kanë dëshmuar se janë zgjidhje të këqija dhe mendojmë se profesionalizimi i këtij institucioni është më se i rëndësishëm dhe mjafton që vetëm prokurori publik i shtetit të vijë si një propozim politik, ndërsa pjesa tjetër e prokurorëve duhet t'i nënshtrohet zgjedhjes së Këshillit të Prokurorëve Publikë”,- theksoi Natali Petrovska nga Grupi Bluprint.
Lidhur me kredibilitetin e PSP-së, Petrovska tha se kredibiliteti i institucionit nuk duhet të lidhet me kredibilitetin e një individi. Ndryshe, përfaqësues nga Bluprint kanë marrë pjesë në grupet e punës në Ministrinë e Drejtësisë javën e kaluar dhe kanë dorëzuar propozimet e tyre për Ligjin për Prokurori Publike.
NAIM RAMADANI
