Maqedoni
Anëtarësimi i RMV-së në NATO, Parlamenti çek ratifikoi protokollin. Zaev: Presim edhe fillimin e bisedimeve me BE-në
12.09.2019 18:05
Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, ka qëndruar për një vizitë pune njëditore në Pragë...

Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, ka qëndruar për një vizitë pune njëditore në Pragë, në kuadër të Samitit të kryeministrave të Grupit të Shteteve të Vishegradit dhe kryeministrave të vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor.
Zaev gjithashtu u takua me kryetarin e Dhomës Përfaqësuese të Parlamentit çek, Radek Vondraçek, ku nga deputetët e Parlamentit çek, Republika e Maqedonisë së Veriut mori ratifikimin për Protokollin për aderim në NATO.
Në takim, kryeministri Zaev shprehu falënderim të madh deri tek nikoqiri, kryeministri i Republikës çeke, Andrej Babish, për organizimin e Samitit në këtë format për herë të parë dhe tha se ky Samit shënon angazhimin e vërtetë për bashkëpunim më të afërt dhe të sinqertë në mes shteteve të Grupit të Vishegradit dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Vendet e Grupit të Vishegradit çdoherë kanë qenë mbështetës të fortë dhe të zëshëm të shteteve të rajonit nga Ballkani Perëndimor në proceset dhe angazhimet e tyre për integrim në BE dhe të gatshëm të ndajnë eksperiencat e tyre nga proceset euro-integruese, por edhe të rrisin bashkëpunimin ekonomik me vendin dhe rajonin tonë”,- citohet të ketë deklaruar kryeministri Zaev në komunikatën e lëshuar nga Qeveria.
Në komunikatë po ashtu thuhet se Zaev ka shprehur pritshmëri se vendi do të fillojë bisedimet me BE-në.
“Pres që anëtarësimi ynë në NATO të ndodh shpejt, pas dhjetë rekomandimeve pozitive për Komisionin Evropian, konkluzat optimiste të Këshillit (viti 2018 dhe 2019) dhe rezultatet që i krijuam – gjithnjë e më shumë jam i bindur se jemi të përgatitur të fillojmë këtë udhëtim dhe të ballafaqohemi me sfidat që i sjell ky proces”,- thuhet nga Qeveria.
Në fjalimin e tij në Samitin e kryeministrave të shteteve të Grupit të Vishegradit dhe të kryeministrave të shteteve partnere nga Ballkani Perëndimor në Pragë, të pranishmit vlerësuan se liderët e vendeve të Grupit të Vishegradit e konfirmojnë mbështetjen e tyre të sigurt për aderimin e shteteve nga Ballkani Perëndimor në BE dhe bindjen se bashkimi i Evropës nuk do të jetë i plotë pa aderimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Republika çeke është shtet-anëtar i 22 i NATO-s, i cili ratifikoi Protokollin për aderimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
FITIM KRYEZIU
