Maqedoni
Banorët e Novosellës: Sa më parë të përfundojnë punimet në shkollë
12.09.2019 18:26
Banorët e fshatit Novosellë të Bogovinës kanë ngritur zërin për vonesën e rinovimit të objektit të shkollës në Novosellë...

Banorët e fshatit Novosellë të Bogovinës kanë ngritur zërin për vonesën e rinovimit të objektit të shkollës në Novosellë, e cila u dogj para dy vitesh. Banorët thonë se nëse punimet nuk përfundohen, do të protestojnë edhe para komunës edhe para ministrisë.
“Gjendja e shkollës është e papërfunduar. VC-të janë të papërfunduara. Kemi mungesë të një klase. Ne kemi gjashtë paralele në dy ndërrime bëjnë 12, ndërsa ne kemi 13 paralele, një klasë se dimë se ku do e çojmë. Po ashtu s`ka zyrë për arsimtarët, e të mos flasim për kabinete informatike”,- tha kryetari i Këshillit të prindërve, Reshad Azizi.
Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, thotë se nga ndërmarrja ndërtuese është njoftuar se do të ketë vonesa.
“Jam njoftuar nga kontraktuesi se ka ngecje, megjithatë më është dhënë garanci se ato do të përfundojnë sa më shpejt që është e mundur, në përputhje me projektin dhe obligimet të cilat janë marrë në bazë të kontratës për realizimin e shkollës së re”,- theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.
Shkolla fillore e Novosellës u kaplua nga zjarri më 22 tetor të vitit 2017 dhe prej atëherë nxënësit e këtij fshati vazhdojnë të hasin në vështirësi.
VLORA LATIFI TOPOJANI
