Maqedoni

Konferencë kushtuar mediave, Han: Respektoni lirinë e mediave

12.09.2019 19:10

Vendi nuk mund të shkojë drejt Bashkimit Evropian pa respektuar lirinë e shprehjes, politika nuk duhet të ushtrojë presion ndaj mediave...

Vendi nuk mund të shkojë drejt Bashkimit Evropian pa respektuar lirinë e shprehjes, politika nuk duhet të ushtrojë presion ndaj mediave, kjo është një ndër kushtet kryesore për integrimin e vendit në BE, u tha në konferencën më të madhe për mediat e Ballkanit Perëndimore.
 
Konferenca u hap nga komisioneri në largim i BE-së, Johannes Hahn, i cili theksoi se sigurimi i lirisë së shtypit është thelbësore për anëtarësimin në BE.
 
“Ky mesazh është i qartë. Ju nuk mund të përparoni në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke mos respektuar lirinë e mediave dhe lirinë e fjalës",- tha ai në një video mesazh për të pranishmit.
 
“Është e papranueshme, që edhe në ditët e sotme, gazetarët të arrestohen, të keqtrajtohen, madje edhe vriten. Kjo gjë duhet të ndryshojë”,- theksoi ministri malazez i kulturës, Aleksandar Bogdanoviç.
 
BE nga viti 2014 deri në vitin 2020, ka siguruar 20 milion euro për mbështetjen e mediave në Ballkanin Perëndimor. Shqetësimi më i madh janë presionet politike dhe për këtë problem duhet gjetur zgjidhje cilësore, u tha me këtë rast.
 
"Tani është koha që partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor të kryejnë reforma serioze në sektorin e mediave dhe në këtë mënyrë të dëshmojnë përkushtim të besueshëm ndaj vlerave dhe standardeve evropiane. Liria e shtypit dhe liria e fjalës janë themelet e Bashkimit Evropian. Nuk ka negociata me BE-në pa ato garanci”,- deklaroi drejtori i fqinjësisë dhe zgjerimit i Komisionit Evropian, Christian Danielson.
 
Në panelin kryesor me gazetarë me temë: “Sigurimi i lirisë së mediave dhe qëndrueshmëria e mediave të pavarura në Ballkanin Perëndimor” u fol për vetëfinancimin e medieve, si parakusht për pavarësinë e tyre.
 
Konferenca e llojit të tillë, që u nis në 2017, ka për qëllim të sigurohet që liria e mediave të mbetet prioritet në ballafaqimin me çështjet e ndërlikuara politike, ekonomike dhe sociale që i përjeton rajoni për momentin. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU