Krichbaum: Suksesi i RMV-së vlerësohet, pres datë në tetor

13.09.2019 16:38

Së fundmi është folur se Maqedonia e Veriut mund përparojë më shumë se Shqipëria....

Së fundmi është folur se Maqedonia e Veriut mund përparojë më shumë se Shqipëria në lidhje me hapjen e bisedimeve me Bashkimin Europian. Shërbimi në shqip i Dojce Veles intervistoi parlamentarin kristian-demokrat gjerman, Günter Krichbaum, që thotë se në tetor do kemi një vendim final.

“Në Bundestag, mendimi për Maqedoninë e Veriut është shumë i mirë. Unë mund të flas vetëm për Parlamentin gjerman, jo për parlamentet e tjera europiane, aq më pak për Bashkimin Europian, por jam i bindur se në muajin tetor Këshilli do të marrë një vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut. Mendoj se përpjekjet që po bën Maqedonia e Veriut vlerësohen, sepse me Marrëveshjen e Prespës u arrit të zgjidhet një konflikt shumëvjeçar me Greqinë. Ky sukses vlerësohet”,- tha parlamentari kristian-demokrat, Günter Krichbaum.

Por, deputeti gjerman thotë se me gjithë vlerësimin e asaj që është arritur, Maqedonia e Veriut ka ende sfida, reforma e sistemit të drejtësisë, ekonomia që duhet të zhvillohet në mënyrë që të tërheqë investimet direkte dhe liria e shtypit. Të gjitha këto janë fusha ku priten përparime.

“Ne nuk po flasim për pranim në BE këtë vit, por po flasim për fillimin e bisedimeve të pranimit. Ky do të jetë një proces i gjatë, ku duhet pasur shumë durim. Por, rruga është e qartë, rrugë në drejtim të Bashkimit Europian”,- tha ai.

Krichbaum thotë se Bundestagu po këshillohet edhe për Shqipërinë. Përkujton që prej raundit të fundit të zgjerimit të BE-së, më 2004 dhe 2007, është parë se është më mirë që vendet të vlerësohen sipas përparimeve që bëjnë vetë, prandaj vlerëson se vendet duhen gjykuar për përpjekjet që bëjnë. Për mua është e qartë se mund të bëhet shkëputja e dy vendeve, e megjithatë në fund mund të ndodhë që bisedimet të fillojnë në të njëjtën kohë për të dy vendet.

“Nuk po flasim për fillimin e bisedimeve për kapitujt e pranimit, se ky është hapi i dytë. Ky “principle of own merit”, është një princip i BE-së dhe secili vend vlerësohet për sukseset e veta”,- thotë deputeti gjerman për Dojce Velen në gjuhën shqipe. (Flutura Latifi, TVM2)