Maqedoni

Policia ndërhyn në xhaminë në Strumicë, ulën zërin e ezanit, reagojnë banorët myslimanë. Myftinia e Shtipit: Askush nuk erdhi të ndalë ezanin, masnin zërin

13.09.2019 16:52

Pas peticionit të disa qytetarëve në Strumicë për zërin e lartë të hoxhës nga xhamia në lagjen e njohur si “Lagjja e turqve”...

Pas peticionit të disa qytetarëve në Strumicë për zërin e lartë të hoxhës nga xhamia në lagjen e  njohur si “Lagjja e turqve”, që fton 5 herë në ditë besimtarët myslimanë të falen, ka vepruar policia e Strumicës, bashkë me Inspektoratin e ambientit jetësor.
 
Nga institucionet arsyetojnë ndërhyrjen kundër “ndotjes akustike” pas ankesave të marra nga qytetarët, por banorët myslimanë të lagjes nuk kanë pritur mirë ndërhyrjen e eskortës së policisë të ardhur aty për të kërkuar uljen e zërit të altoparlantëve të xhamisë.
 
Ata kanë bllokuar rrugën, madje duke përkujtuar se në lagje ka edhe kishë, por kurrë asnjë prej tyre nuk është ankuar për zërin e lartë të kambanave të saj. 
 
Nga myftinia e Shtipit thonë se pas kërkesës së autoriteteve ata e kanë ulur volumin e zërit dhe policia ka ardhur vetëm për të kontrolluar nëse ligji për ndotje akustike po zbatohet.  
 
“Më 12.09.2019 në kohën e namazit të Jacisë, në Strumicë, si rezultat i një keqkuptimi mes Inspektoratit të komunës së Strumicës, i cili ka shkuar afër xhamisë për të matur lartësinë e altoparlantëve të zërit në xhami dhe disa besimtarëve, të cilët kanë menduar se inspektorët kanë ardhur të ndalojnë thirrjen e ezanit nga altoparlantët, ka ndodhur një zënkë, për fat të mirë e vogël dhe pa pasoja të mëdha. Ne si myftini jemi në kontakt edhe me imamin, edhe me xhematin edhe me inspektoratin dhe mundohemi të evitojmë problemin”,- thonë nga myftinia e Shtipit. 
 
REJHANE BUSHI METAJ