Maqedoni
Spasovski: Jemi të vendosur për sundimin e ligjit
13.09.2019 17:29
Përmirësimi i efikasitetit të sistemit të drejtësisë penale dhe sigurimi i procedurave efikase para-hetimore dhe hetimore...

Përmirësimi i efikasitetit të sistemit të drejtësisë penale dhe sigurimi i procedurave efikase para-hetimore dhe hetimore, në luftën kundër krimit, synohet përmes projektit "Ndërtimi i Kapacitetit Institucional të Qendrës së Hetimit".
Me këtë projekt do të ofrohet mbështetje në forcimin e qendrave të hetimit për Prokurorinë Publike, Ministrinë e Drejtësisë, MPB-së, Policinë Financiare dhe Administratën Doganore, tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
"Duke deklaruar vullnet të pakontestueshëm politik dhe qëllim jo vetëm për restartimin e funksionimit të plotë të bllokuar të shtetit, por edhe për të ndërmarrë përpjekje të reformave të reja, reale, gjithëpërfshirëse, në drejtim të sigurimit të një baze për përparimin dhe zhvillimin e shoqërisë në tërësi, ne në dy vitet e fundit filluam një sërë ndryshimesh të mëdha normative, institucionale dhe ndryshime të tjera. Duke vepruar kështu, ne ishim të motivuar pikërisht nga qëllimi që e theksova - sundimi i ligjit",- tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Sigurimi i kushteve për hetime efikase, sipas Spasovskit, do të mundësojë edhe mbrojtje më të madhe të të drejtave të njeriut për personat të cilët janë në procedurë hetimore dhe para-hetimore si dhe në proceset gjyqësore.
“Vetëm në këtë mënyrë do të përmbushen të gjitha ambientet për zbatimin praktik të shtetit të së drejtës dhe kështu për rivendosjen e plotë të besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit”,- tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Twinning projekti, i financuar nga Bashkimi Evropian, i implementuar nga Fondacioni gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar në partneritet me Ministrinë kroate të Drejtësisë, filloi në maj të vitit 2019 dhe do të zgjasë 24 muaj.
ERSAN PAJAZITI
