Maqedoni

Transferimi i lëndëve të PSP-së, Deskoska: Ligji, jo më domosdoshmëri urgjente. VMRO-DMPNE: Transferimi i lëndëve, goditje ndaj sistemit. Zhbogar: Pajtohuni rreth PSP-në, vendosni sundimin e ligjit

13.09.2019 17:40

Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, nuk e sheh më si domosdoshmëri urgjente sjelljen e Ligjit për Prokurorinë Publike...

Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, nuk e sheh më si domosdoshmëri urgjente sjelljen e Ligjit për Prokurorinë Publike, për shkak se sjelljen e të njëjtit e vlerëson si të rëndësishëm për përmbushjen e  strategjisë për reforma në jurisprudencë.
 
Thotë se edhe përkundër mosdakordimit rreth Ligjit për fatin e PSP-së, transferi i lëndëve po ndodh dhe të njëjtat do të kenë përfundim gjyqësor pa mundësinë për ndikime negative nga mendimi i Gjykatës Supreme.
 
Si përfundim nga takimi i fundit i liderëve janë bërë intervenime në propozim Ligjin për Prokurorinë Publike që tani më ndodhet në Kuvend. Deskoska u bëri thirrje të gjithë deputetëve në Kuvend të mendojnë se ku e shohin të ardhmen e vendit dhe se nëse aspiratat e tyre europiane janë të sinqerta, të mbështesin Ligjin për Prokurorinë Publike.
 
“Transferi i lëndëve që po ndodh ua turbulloi llogaritë atyre që dëshiruan që pas 15 shtatorit të mos ketë prokurorë specialë, të mos ketë kush t’i mbarojë lëndët, të ekzistojë institucion me lëndë të pambaruara dhe të ngatërruara edhe një vit. Ai plan bëri dëm por dështoi. Ndoshta miratimi i Ligjit tani më nuk është i patjetërsueshëm për vazhdimin e lëndëve të PSP-së, por padyshim se është i nevojshëm për plotësimin e obligimeve nga strategjia për reforma në sistemin gjyqësor dhe rrumbullakim të reformave në jurisprudencë. Apeloj në prag të datës për vendimin e fillimit të negociatave, interesat shtetërore të vihen mbi ato partiake”,- tha ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.
 
Por, nga VMRO, marrjen e lëndëve të PSP-së nga ana e PP-së e cilësojnë si goditje mbi sistemin gjyqësor.
 
“Veprimi i Prokurorit Publik me urdhër të një personi të paraburgosur për krim të rëndë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare është presedan i pa parë dhe goditje  shtesë mbi sistemin juridik. Marja e lëndëve nga PSP është jashtligjore, me urdhër pikërisht të personit që dyshohet se ka keqpërdorur këto lëndë për presione politike dhe shantazhime me para”, u shpreh sekretari gjeneral i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev. 
 
Teksa forcat politike maqedonase kanë mendime të kundërta sa u përket transferimit të lëndëve, Euroambasadori Samuel Zhbogar  përkujton  se Sundimi i ligjit është në zemrën e procesit të zgjerimit andaj bën thirrje se politika duhet të pajtohen që puna rreth PSP-së të finalizohet.
 
“Në këto momente politika dhe gjyqësori janë në  udhëkryq. ..Zgjidhja për të ardhemen  e PSP-së nuk është arritur. Por “asnjë zgjidhje” nuk është zgjidhje. Më mirë vonë se kurrë politika duhet të pajtohet se  për mënyrën  që këto raste  të vazhdojnë në rrugë kredibile dhe të pavarur. Llogaria  ligjore për PSP-në duhet të finalizohet”, theksoi euroambasarodi Samuel Zhbogar. 
 
Zhbogar përkujton se mënyra se si krimi dhe korrupsioni do të luftohen  mund të rikthejë besimin në politikë dhe insttiucione , ose të humbet besimi në to për kohë të gjatë.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI