Maqedoni
Shpenzimi i financave në KShZ, para për rrugë vetëm kur do të ketë seanca
13.09.2019 18:16
KShZ, me kufizime të reja për shpenzimin e financave. Anëtarët në seancën e sotme vendosën që të marrin para për rrugë vetëm kur të mbahen seanca...

Me këtë vendim, ata synojnë të dëshmojnë për shpenzim të duhur të parave të shtetit.
“Ky vendim është vërtetim shtesë për punën profesionale të KShZ-së, pasi paraprakisht u prononcuam se heqim dorë nga bonuset. Me këtë dëshmojmë se seriozisht mbajmë kujdes për buxhetin e qytetarëve dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”,- tha anëtarja e KShZ-së, Elizabeta Postollovska.
Për ditët kur nuk do të mbahen seanca, anëtarët e KShZ-së për ardhjen në punë do të marrin kompensim në vlerë të një bilete autobusi.
“Për gjitha ditët tjera për ardhjen në punë, anëtarëve u takojnë para në vlerë të një bilete kthyese autobusi deri në vendbanim”,- u shpreh anëtari i KShZ-së, Boris Kondarko.
KShZ rregulloi edhe çështjen e shfrytëzimit të makinave zyrtare. Anëtari i cili do ta shfrytëzojë për ardhje në seancë do të duhet të ketë shkresë të nënshkruar nga kryetari i Komisionit si dhe fletëpagesë në pikat e pagesës rrugore.
Me këtë do ta konfirmojë realizimin e udhëtimit për ardhjen në seancë dhe më pas do t’i paguhet 20% e çmimit të derivatit.
Çështja e shpenzimit të financave në KShZ u aktualizua nga ish ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli.
Ai para dy viteve zbuloi se anëtarët kanë marrë bonuse në vlerë të 5 rrogave.
Pas këtij skandali, ajo përbërje e KShZ-së u dorëhoq, në përjashtim të anëtares së Besës, Ermira Asanit.
MERAL ISMAILI
