Maqedoni
Komunat me popullatë rome: Mungojnë investimet, meritojmë trajtim të njëjtë. Bajram: Ndamë mjete në buxhet për 16 komuna
13.09.2019 18:57
Komunat e banuara kryesisht me popullatë rome, ankohen se në vazhdimësi diskriminohen nga institucionet...

Komunat e banuara kryesisht me popullatë rome, ankohen se në vazhdimësi diskriminohen nga institucionet, sidomos kur bëhet fjalë për investime. Ata kërkojnë më shumë fonde për këto komuna.
“Të shpresojmë se vitin e ardhshëm do të kemi më shumë mjete me qëllim që këto plane aksionare të realizohen në tërësi dhe jo në faza. Edhe romët janë të barabartë me të tjerët dhe meritojnë trajtim të njëjtë”,- tha kryetari i komunës së Shuto Orizares, Kurto Dudush.
Ministria e Pushtetit Lokal ka ndarë mjete në buxhet për përmirësimin e kushteve infrastrukturore në 16 komuna në kuadër të planeve aksionare të përgatitura më herët.
“Me rishikimin e buxhetit janë ndarë 7 milionë denarë për ndërtim të shtëpive të improvizuara në komunën e Koçanit. Do të ndërtohen 24 njësi banuese. Projekti kap shumën 23 milionë denarë dhe do të zhvillohet në disa faza”,- theksoi ministri pa resor, Muzafer Bajram.
Përveç komunës së Shuto Orizares, mjete kanë përfituar edhe Çairi, Manastiri, Dibra, Tetova, Kumanova e Prilepi. Nga Ministria për Pushtet Lokal premtojnë të rrisin shumën vitin e ardhshëm.
FITORE DEMOLLI
