Botë
Rama takoi Merkelin, kërkon votë pro hapjes së negociatave në tetor. Ambasadori i BE-së në Tiranë: Dialog politik, para vendimit në tetor
13.09.2019 20:00
Kryeministri Rama ka udhëtuar drejt Berlinit për t’i kërkuar Bundestagut gjerman një votë pro hapjes së negociatave të Shqipërisë në tetor...

Gjatë vizitës së tij, Rama është takuar me kancelarin, Angela Merkel, nga e cila ka marrë vlerësime pozitive.
“Në Kancelarinë Federale për të kërkuar po-në për Shqipërinë. Shumë i inkurajuar nga vlerësimet dhe predispozita pozitive ndaj Shqipërisë e kancelares Merkel, mike e vërtetë",- shkruan Rama në Twiter.
Edhe Zyra e kancelares Merkel ndau me ndjekësit e saj në rrjetet sociale takimin me Edi Ramën.
“Në fund të shtatorit, Bundestagu do të vendosë nëse kancelaria, Angela Merkel, mund të pranojë hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë në samitin e BE-së në mesin e tetorit”,- thuhet në njoftim.
Më herët, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, u bëri thirrje palëve politikë që të ulen në dialog, para vendimit për negociatat.
Vende skeptike që ende nuk janë shprehur lidhur me negociatat e Shqipërisë në BE janë Franca dhe Holanda.
LULJETA NDOKA
