Botë

Trump: Është vrarë djali i Osma Bin Laden

14.09.2019 19:47

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump thotë se tani mund të konfirmojë se Hamza bin Laden...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump thotë se tani mund të konfirmojë se Hamza bin Laden, djali i themeluesit të Al-Kaidës, Osama bin Laden, është vrarë gjatë një operacioni ushtarak të kryer në kufirin ndërmjet Afganistanit dhe Pakistanit.
 
“Humbja e Hamza bin Laden jo vetëm që privon Al-Kaidën nga aftësi të rëndësishme udhëheqëse dhe lidhjes simbolike me babanë e tij, por minon aktivitete të rëndësishme operacionale të grupit”, tha Trump në një deklaratë të lëshuar sot nga Shtëpia e Bardhë. 
 
Mediat më 31 korrik, duke cituar zyrtarë të inteligjencës, raportuan për vrasjen e Hamza bin Laden. Por, ato nuk dhanë detaje lidhur me datën dhe vendin se ku është vrarë ai. Në muajin gusht, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper kishte thënë se “siç e kam kuptuar” Bin Laden është i vdekur. Por, Trump dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, publikisht nuk e kishin konfirmuar vdekjen e djalit të Osama bin Laden. Hamza bin Laden besohet se ishte 30-vjeçar. 
 
Në muajin shkurt, Qeveria amerikane kishte vënë 1 milion dollarë shpërblim për informacione rreth vendndodhjes së Hamza bin Laden, duke thënë se ky person, që shpesh konsiderohej si “trashëgimtari i xhihadit”, po shfaqej si “udhëheqës i Al-Kaidës”. Hamza bin Laden kishte publikuar një video-mesazh ku bënte thirrje për sulme në Shtetet e Bashkuara dhe shtete tjera, për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së babait të tij nga forcat speciale amerikane më 2011 në Pakistan. Më 2018, në një raport të Kombeve të Bashkuara theksohej se “propaganda e Al-Kaidës vazhdon të nxjerr në pah një gjeneratë të re udhëheqësish, siç është Hamza bin Laden... me qëllim që të projektojë një imazh të ri për simpatizantët” e këtij grupi.