Maqedoni
Barazia gjinore, Saliu: E ulët, si pasojë e ndikimeve të rrethit
15.09.2019 14:29
Mundësitë e barabarta midis gjinive ende temë trajtimi, pasi të njëjtat mirë figurojnë në ligje por nuk zbatohen sa duhet në praktikë....

Edhe të dhënat e fundit flasin se femrat s’janë sa duhet të përfaqësuara në pozicionet vendimarrëse. Diskriminimi vërehet edhe në sferën e biznesit , ndërkaq një rritje graduale vërehet në punësimin e gruas në administratë. Komunikologu Salajdin Salihu sqaron se ligjet nuk zbatohen si pasojë e faktorëve të ndryshëm që diktohen nga rrethi. Për përmirësimin e statusit të gruas, sipas Saliut, inicijativa duhet të vijë nga vetë femrat.
“Tjetër është ajo që thonë ligjet dhe tjetër është ajo sa zbatohen ligjet sepse në këtë drejtim dmth ndikojnë edhe shumë faktorë të tjerë, janë faktorë psikologjik, janë faktorë të traditës të cilat megjithatë nuk ndryshohen vetëm me ligje juridike. Duhet të kalojë një kohë, duhet të krijohet një vetëdije për një inkuadrim të femrës në shoqëri. Sigurisht në këtë drejtim duhet të kontribuojë jashtzakonisht edhe gjinia femërore për ta kërkuar dhe për ta formësuar identitetin e vet në këtë shoqëri”, tha Salajdin Saliu, komunikolog.
Kasapi: Të respektohet zëri i politikaneve
Për diskriminim ankohen edhe vetë gratë e kyçura në politikë. Kërkojnë që gjuha ofenduese të ndërpritet.
“Diskriminimi në baza të ndryshme e sidomos të gjinisë për fat të keq janë pjesë e fjalimeve të figurave publike. Është koha që të marrin fund ofendimet dhe mizogjenia drejtuar femrave në politikë. Deputetet e kuvendit, anëtare të klubit të deputeteve, të gjitha së bashku, pamarrparasysh përkatësisë, partiake, etnike, fetare, fuqishëm kundërshtojmë dhe ndëshkojmë deklarimet dhe format e tilla të komunikimit me ofendime dhe nënçmim të gruas në politikë por edhe gruas në shoqëri”, tha Gjylymsere Kasapi, deputete.
Saliu: Sa më shumë femra në politikë
Por komunikologu Saliu thotë se për tu zbutur skena politike duhet që kyçja e femrave të jetë shumë më e madhe e jo vetëm nëpërmjet kuotave.
“Vetë bota femërore nuk s’duhet të lejojë që të prezantohet në sferën e politikës vetëm nëpërmjet kuotizimeve, por nëpërmjet vlerës që I ka dhe jam shumë I bindur që këtu në Maqedoni por edhe më gjërë në hapësirën shqiptare ka shumë profesioniste të jashtzakonshme që mund të japin një kontribut të jashtzakonshëm për zhvillimin e shoqërisë”, tha Salajdin Saliu, komunikolog.
Sipas raportit vjetor të qeverisë për barazi gjinore përfaqësimi I femrave në administratë shënon 50%, pasi në vitin 2014 ka qenë vetëm 43%. Kjo rritje graduale sipas përfaqësuesve të ekzekutivit ndodh falë interesit për kyçje aktive të grave në aparatin shtetëror.
MERALE ISMAILI
