Botë
BE: Sulmet në Arabinë Saudite kërcënim për sigurinë rajonale
15.09.2019 18:30
Bashkimi Evropian i ka quajtur “një kërcënim real në sigurinë e rajonit” të Lindjes së Mesme....

Bashkimi Evropian i ka quajtur “një kërcënim real në sigurinë e rajonit” të Lindjes së Mesme, sulmet ndaj ndërtesave të përpunimit të naftës në Arabinë Saudite.
“Sulmet me dronë në dy ndërtesat e naftës të kompanisë Armaco në Arabinë Saudite, paraqesin rrezik real për sigurinë rajonale”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së shefes së BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini.
“Në këtë kohë, kur tensionet janë të larta në rajon, ky sulm minon punën që po vazhdon për uljen e tensioneve dhe dialogun”, thuhet në deklaratë, ku bëhet thirrje për “përmbajtje” me qëllim që të mos përshkallëzohet më shumë situata.Rebelët jemenas Huthi, që mbështeten nga Irani morën përgjegjësinë për sulmet e së shtunës. Por, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se pas këtyre sulmeve qëndron Irani.
Zyrtarët iranian kanë mohuar çdo përfshirje në këto sulme. Zjarret, sipas ministrit saudit të Energjisë, Princit Abdulaziz bin Salman “rezultuan në pezullimin e përkohshëm të prodhimit” të naftës, që për pasojë mund të ektë shtrenjtimin e naftës. Por Departamenti amerikan për Energji ka njoftuar se “është i gatshëm të dërgojë burime” nga rezervat e tij strategjike të naftës “nëse është e nevojshme, me qëllim që të kompensohet çdo ndërprerje në tregjet e naftës”.
