Tusk: RMV bëri gjithçka për të nisur bisedimet

17.09.2019 15:46

Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, nga Shkupi, porositi liderët e BE-së....

Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, nga Shkupi, porositi liderët e BE-së që ta kryejnë obligimin e vet ndaj Maqedonisë së Veriut, ndërkaq, sipas tij, vendi ynë ka mbaruar me obligimet që ka marrë nga Bashkimi Evropian.

“Vazhdoj të kem qëndrimin tim që e kisha në qershor se vendi juaj bëri gjithçka që BE ka pritur nga ju dy vitet e fundit për të filluar negociatat”- deklaroi Tusk në pres konferencë, pas takimit me kreun e qeverisë.                          

“Shkupi është vendi më i mirë ku dua të apeloj deri te vendet e BE-së: Tani bëjeni ju punë tuaj, sepse Maqedonia e Veriut e ka mbaruar punën e vet. Dua të jem i qartë si kristal se nuk ekziston dyshim në Bruksel në raport me obligimet e juaja politike në drejtim të sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”,- theksoi kryetari i Këshillit të BE-së, Donald Tusk.

Zaev: Të gatshëm t’i përgjigjemi sfidës së negociatave

Pas 10 rekomandimeve  pozitive, Maqedonia  e Veriut është e gatshme t’ju përgjigjet sfidave që vijnë me hapjen e negociatave, tha kryeministri Zaev, i cili pret që suksesi politik që dëshmoi vendi, të kurorëzohet me dhënien e datës për negociata më 15 tetor.

Zaev siguroi se vazhdojnë obligimet institucionale në reformat, sidomos në gjyqësor dhe në secilin rast, sipas tij, të dëshmohet pavarësia gjyqësore.                                                                     

“Dëshira jonë e përbashkët në periudhën deri në seancën e ardhshme të Këshillit Evropian është që këtë shoqëri dhe përkrahje të përbashkët ta kurorëzojmë me suksesin e përbashkët historik në tetor, sepse kjo është në interes të përbashkët për Maqedoninë  e Veriut dhe BE-së. Kjo është periudhë e rëndësishme për arritjen e  qëllimeve strategjike të vendit tonë dhe një prej qëllimeve është konfirmimi i datës për fillimin e negociatave”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.                                                                                                                        

Zaev u shpreh  optimist se deri në fund të vitit do të mbahet mbledhja e parë ndëqeveritare mes vendit tonë dhe KE-së dhe me këtë, sipas tij,  Maqedonia e Veriut hyn në rrugëtimin transformues drejt BE-së. Presidenti i KE-së, Tusk, është takuar edhe me kryetarin e shtetit, Stevo Pendarovskin. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)