Ndryshimi i kodit zgjedhor, 12 deputetë kërkojnë një njësi zgjedhore

17.09.2019 16:01

12 deputetë, Liljana Popovska, Maja Moraçanin, Rubin Zemon....

12 deputetë, Liljana Popovska, Maja Moraçanin, Rubin Zemon, Ferid Muhiq, Mirosllav Jovanoviq, Panço Minov, Samka Ibraimovski, Juliana Nikollova, Jusuf Hasani, Rexhep Memedi, Alija Kamberovski dhe Amdi Bajram kanë ngritur iniciativë në Kuvend për riorganizimin e njësive zgjedhore nga gjashtë në një njësi.

Me këtë synohet transparencë më e madhe e procesit zgjedhor si dhe një laramani më e madhe të partive politike në Kuvend.

Iniciativa i është dorëzuar të gjitha partive, ndërkaq sot propozuesit e iniciativës kërkuan takim me kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, si dhe liderët e LSDM-së, VMRO-së dhe BDI-së që të jenë pjesë e procesit të ndryshimit të kodit zgjedhor.     

“Në parlament do të hyjë secili subjekt politik pas të cilit qëndrojnë votues të gjallë realë dhe votat e atyre votuesve nuk do të shfrytëzohen nga subjekte të tjera politike të cilat nuk i kanë fituar ato vota. Gjithashtu do të ketë laramani më të madhe dhe demokratizim sikurse të parlamentit dhe mbarë situatës në vend”.

ASh kundër iniciativës, kërkon 8 njësi

Iniciativa u refuzua nga Aleanca për Shqiptarët, pasi nuk garanton ruajtjen e votës shqiptare dhe ekziston rreziku i ngritjes artificiale të censusit. Aleanca kërkon formimin e 8 njësive zgjedhore.                                                               

“Ne si subjekt politik jemi seriozisht duke shqyrtuar mundësinë e organizimit të zgjedhjeve në tetë njësi zgjedhore konform organizimit rajonal ekzistues në RMV, kuptohet me lista të hapura, dhe risia e këtij propozimi është që jo të gjitha njësitë zgjedhore do të prodhonin numër të barabartë deputetësh, por do të kishin aq deputetë sa kanë edhe votues”,- deklaroi deputeti i ASh-së, Syrija Rashidi.          

Lëvizja Besa propozon formimin e 3 njësive

Negativisht ftesës i është përgjigjur edhe Lëvizja Besa. Nga partia e Kasamit kërkojnë formimin e tre njësive zgjedhore.                                                               

“Lëvizja Besa përkrah që Maqedonia të ndahet në tre njësi zgjedhore nga gjashtë që i kemi gjithsej. Vlerësojmë se ndarja e tillë territoriale e njësive zgjedhore nuk do të çelte problem rreth këtij konfigurimi të njësive zgjedhore dhe do të shprehte dhe do të manifestonte atë që është RMV, një vend multietnik dhe me një përfshirje të gjerë etnike të më tepër komuniteteve në vend”,- u shpreh deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.                                                                                                                                   

Në Maqedoninë e Veriut nga viti 2002 është në fuqi modeli proporcional me gjashtë njësi zgjedhore, ku mandati i deputetit fitohej vetëm nga votat e koncentruara të një njësie zgjedhore.

Ashtu ndodhte që të bien në ujë lista të deputetëve që në nivel të shtetit siguronin 30 deri në 40 mijë vota, ndërkaq në kuvend të hyjnë kryesisht partitë të mëdha me disa përjashtime të partive të vogla. (Meral Ismaili, TVM2)