Maqedoni
Ademi: Drejtori të prononcohet publikisht se a ka vullnet për hapjen e paraleles shqipe
17.09.2019 17:52
Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, fton drejtorin e Shkollës fillore “Njegosh”....

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, fton drejtorin e Shkollës fillore “Njegosh” në Jurumleri të deklarohet para opinionit se a ka vullnet për t’u zgjidhur çështja e paraleles shqipe. Ademi nuk e përjashton mundësinë që organizatorët e protestës kundër paraleles shqipe të kenë agjendë politike për krijimin e tensioneve.
“Unë jam i hapur t’i pres në takim në hapësirat e MASh-it drejtorin e shkollës dhe këdo tjetër, se një veprim i tillë në arsim tërheq probleme tjera, sfida tjera për të parandaluar çdo eskalim të situatës. Unë kam bërë apel të shmangemi nga çdolloj provokimi që të mos eskalojë situata, jam i gatshëm të bisedoj me gjithkënd që është i interesuar të bisedojë në këtë temë që të jetësohet kërkesa e banorëve atje”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
MASh: Financim për mësimdhënës shtesë, pëlqim pozitiv për kërkesa të bazuara
Po ashtu MASh ka siguruar komunën e Gazibabës se do t’i japë pëlqim kërkesës për formimin e paraleles në Shkollën fillore “Njegosh” në Jurumleri, por një kërkesë e tillë ende nuk ka arritur. Ndërsa sa u përket kërkesave që janë dorëzuar nga komuna e Çairit për angazhim të mësimdhënësve shtesë, për shkak të numrit të madh të nxënësve në disa shkolla, ministri thotë se janë dhënë përgjigje pozitive për Shkollën “Hasan Prishtina”, “Kongresi i Manastirit” shkollën në Mojancë dhe nëse kërkesat janë të bazuara, do të vazhdohet edhe me shkollat tjera.
“Ne i kemi bërë apel edhe kryetarëve të komunave edhe udhëheqësive të shkollave që dyert e MASh-it janë të hapura, që problemet t’i adresojnë dhe do të marrin përgjigje pozitive nëse kërkesa është bazuar”,- u shpreh ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
Këto komente ministri Ademi i bëri në Sh. F. “Liria” në Çair, ku është rinovuar enterieri me donacion të Kompanisë “Eftinija Impeks” në vlerë prej 70 milion eurosh.
FLUTURA LATIFI
