Maqedoni
Çerkez, kamioni me 80 migrantë bie në kanal
17.09.2019 18:05
Duke dashur t’i shmanget kontrollit policor në autostradën Kumanovë – Tabanoc....

Duke dashur t’i shmanget kontrollit policor në autostradën Kumanovë – Tabanoc, një kamion me targa të Shkupit ndërron kahjen në drejtim të Shkupit rrugës së vjetër, kur edhe fluturon në një kanal të hapur në kuadër të rikonstruimit të këtij aksi rrugor.
Në një kumtesë zyrtare të MPB-së thuhet se “Kamioni me 80 emigrantë është aksidentuar në afërsi të fshatit Çerkez të Kumanovës. Sipas MPB-së, mbrëmë rreth orës 23:00 nëpunësit policorë në autostradën Kumanovë-Tabanoc i kanë dhënë shenjë ndalimi automjetit motorik transportues “DAF” me gjysmë rimorkio, por kamioni nuk është ndalur. Gjatë ikjes nga patrulla policore, në drejtim të Shkupit nga rruga e vjetër, në rrugën “Zhelezniçka”, kamioni është aksidentuar me një veturë të tipit “Golf” duke rënë në një kanal, ku po kryheshin punë ndërtimore. SPB - Kumanovë konfirmon se në mesin e 80 emigrantëve kishte fëmijë dhe të moshës madhore, kryesisht nga Afganistani, India, Bangladeshi dhe Pakistani.
Gjatë ditë së sotshme punohej në tërheqjen e kamionit nga kanali, kurse autoritetet po punojnë në zbardhjen e rastit.
FATLUM AQIFI
