Maqedoni
Gjykata e Apelit konfirmon dënimin, 745 vjet burg për “Grupin e Kumanovës”
17.09.2019 18:21
Gjykata e Apelit në Shkup ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore për “Grupin e Kumanovës”....

Gjykata e Apelit në Shkup ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore për “Grupin e Kumanovës”, i cili më 2 nëntor 2017 ishte dënuar me 746 vjet burgim. Për veprën “terrorizëm” ishin dënuar gjithsej 37 persona, shumica shtetas të Kosovës, të cilën ishin shpallur fajtorë për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë.
Gjatë përleshjes së armatosur në Kumanovë u vranë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Shtatë pjesëtarë të grupit u dënuan me burg të përjetshëm, 13 janë dënuar me nga 40 vjet burg, derisa 6 prej 37 të akuzuarve janë dënuar me nga 20 vjet burg.
Të akuzuarit e tjerë janë dënuar me nga 18 vite e më pak. Pjesëtarët e grupit, gjatë procesit të gjatë gjyqësor kanë hedhur poshtë akuzat për terrorizëm, duke theksuar se në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, kishin shkuar për t’i tërhequr vërejtjen autoriteteve maqedonase, për siç kanë thënë, “mosrealizimin e drejtave të shqiptarëve” sipas asaj që ishte paraparë në Marrëveshjen e Ohrit. Pjesëtarët e grupit dhe pala mbrojtëse ka kërkuar hetim ndërkombëtar.
