Maqedoni
Lamberc në Shkup, takime me Osmanin, Pendarovskin dhe Xhaferin
18.09.2019 11:28
Kryetari i Komitetit Evropian i Rajoneve, Karl-Hajnc Lamberc, i cili prej dje po qëndron për vizitë dyditore në vend...

Kryetari i Komitetit Evropian i Rajoneve, Karl-Hajnc Lamberc, i cili prej dje po qëndron për vizitë dyditore në vend, sot do të realizojë takime me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmanin, ndërsa do të pritet edhe nga shefi i shtetit, Stevo Pendarovski, dhe kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Lamberc do të realizojë takim edhe me ministrin e pushtetit lokale, Goran Milevski, si dhe me kryetarin e Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, njëherit edhe kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.
Siç bëri të ditur Sekretariati për Çështje Evropiane, është paraparë Osmani dhe Lamberc të bisedojnë për mundësitë për avancimin e bashkëpunimit, i cili po zhvillohet përmes Komitetit të përbashkët konsultativ midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komitetit të rajoneve të Bashkimit Evropian, si pjesë e përpjekjeve të vendit për harmonizim me rregullat, standardet dhe vlerat evropiane në të gjitha nivelet. Krahas aktiviteteve lidhur me integrimet evropiane, do të hapen edhe temat për zhvillimin e pushteteve lokale, bashkëpunim midis pushtetit qendror dhe vetëqeverisjes lokale, si dhe shkëmbim të praktikave të mira midis rajoneve evropiane, theksohet në kumtesë.
Në ditën e parë të qëndrimit në Shkup, Lamberc mbrëmë është takuar me ministrin e punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, me ç’rast është biseduar për integrimet evropiane të vendit dhe për pritjet e samitit të ardhshëm në tetor të BE-së, si dhe për çështje lidhur me kohezionin, decentralizimin, bashkëpunimin ndërkufitar, uljen e dallimeve ekonomike midis rajoneve të ndryshme evropiane, si dhe më gjerë për të ardhmen e Evropës.
