Mjekët në protestë: Vuajmë pasojat e politikave të këqija shëndetësore

18.09.2019 14:57

Nën moton “Stop dhunës mbi punonjësit shëndetësorë”....

Nën moton “Stop dhunës mbi punonjësit shëndetësorë”, punëtorët shëndetësorë të organizuar nga Asociacioni i Specialistëve dhe Mjekëve të Rinj, protestuan për t’u thënë mjaft më sulmeve që janë shpeshtuar kohët e fundit ndaj tyre nga pacientët apo të afërmit e tyre të pakënaqur me shërbimet që u jepen.

Mjekët kërkojnë sjelljen e ligjit për veprimtari mjekësore, zbatimin urgjent dhe barazimin ligjor të sulmit ndaj personelit mjekësor me sulm ndaj  zyrtarit policor, sigurim policor në të gjitha institucionet shëndetësore, veçanërisht në qendra urgjente, kyçjen e mjekëve të rinj në miratimin e të gjitha politikave shëndetësore dhe organizim të detyrueshëm të sistemit të brendshëm për kontroll të punëtorëve mjekësorë.

“Jemi mbledhur për të thënë mjaft ishte! Kjo do të jetë revolta jonë e fundit, nuk duhet të lejojmë më që punonjësit e shëndetësisë të sulmohen. Për shumë vite, tendencat dhe fushatat negative kanë ndikuar te  punëtorët mjekësorë dhe qëllimi është që të lihen nën hije vendimet e këqija të personave udhëheqës të sistemit”,- tha Nenad Llazarov nga Asociacioni i Specialistëve dhe Mjekëve të Rinj.

Protesta edhe në Tetovë, mantelbardhët kërkojnë siguri gjatë punës

Me të njëjtat kërkesa dolën edhe mjekët e spitalit të Tetovës, ku edhe ndodhi një nga sulmet e fundit ndaj një mjeku.

“Është hera e fundit që institucionet në mënyrën më të mirë që dinë, të gjejnë masa t’i dënojnë të gjithë ata që dhunojnë mjekësinë me një fjalë, se ne fundi fundit nuk e meritojmë. Kjo nëpërkëmbje, ky nënshtrim, kjo përbuzje, kjo ul në njëfarë mënyre edhe motivin e punës dhe ul vlerën për të gjithë ata që merren me punën më profesionale”,- u shpreh mjeku, Rexhep Emurllai.

“Ngremë zërin, kërkojmë nga organet kompetente që të merren masat e duhura për mbrojtjen e dinjitetit tonë e bile edhe të jetës. Ne jemi dhe do të jemi në shërbim të pacientëve në mënyrën më korrekte dhe më të ndërgjegjshme”,- u shpreh kryetari i Sindikatës së Mjekëve, Mahi Kamberi.

Filipçe: Marrim masa për ndryshime në sistem

Protesta u mbështet edhe nga ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Ai premtoi sigurim për mjekët dhe ndryshime në sistem për përmirësimin e statusit dhe kushteve për punë.

“Kemi ndërmarrë masa për ndryshime sistemore për avancimin e tërë sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e statusit të punëtorëve shëndetësorë. Do ta përsëris, nuk mendoj se vetëm sigurimi mundet të zgjidhë këtë problem dhe ky është një fillim i mirë i një procesi në të cilin vlerësoj se në periudhën që vjen do të ndërmerren masa, do të duhet kohë e gjatë, por ne do të kemi rezultate të dukshme”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Mjekët do t’u lënë kohë autoriteteve të zgjidhin problemet me të cilat përballen, në  të kundërtën paralajmërojnë se do të vazhdojnë protestat. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)