Maqedoni
Mospranimi në shkollë i fëmijëve të pavaksinuar. “Nga ne për ne”: urdhri nuk ka mbështetje ligjore. Filipçe: 99% të fëmijëve në kryeqytet janë vaksinuar
18.09.2019 15:39
Autoritetet janë të prerë se në shkolla nuk do të pranohet asnjë fëmijë i pavaksinuar, por nga Shoqata “Nga ne për ne”...

Autoritetet janë të prerë se në shkolla nuk do të pranohet asnjë fëmijë i pavaksinuar, por nga Shoqata “Nga ne për ne” thonë se në Ligjin e arsimit fillor në asnjë nen nuk shkruan se nxënësi nuk mund të pranohet në klasë të parë pa dhënë kartonin për statusin e rregullt vaksinal, pra sipas tyre vendimi i qeverisë nuk ka mbështetje ligjore.
Urdhri që iu është dhënë gojarisht drejtorëve të shkollave, sipas tyre, është në kundërshtim me ligjet ekzistuese.
“Pse konkluzioni që thotë se nuk do të pranohen fëmijë që nuk kanë pranuar vaksinën MRP dhe vaksinat tjera, nuk u inkorporua në kuadër të Ligjit të ri për arsim fillor, sepse juridikisht nuk ekziston një mundësi e tillë, sepse Kushtetuta thotë se arsimi fillor është i garantuar për çdo fëmijë dhe këto urdhra të gjitha janë dhënë gojarisht dhe jo me shkrim. Drejtorët e shkollave duhet të kuptojnë që topin duhet ta hedhin tek sektori i shëndetësisë. Ata duhet t’i regjistrojnë nxënësit, përderisa nuk kanë vendim me shkrim për mospranimin e tyre në procesin arsimor të obligueshëm”,- tha Gordana Gogjo nga Shoqata “Nga ne për ne”.
Ministri Filipçe ndërkohë është i kënaqur me ecurinë e procesit të vaksinimit. Thotë se do të menaxhohet edhe problemi i fëmijëve që ende nuk kanë pranuar vaksina.
“Në Shkup janë vaksinuar mbi 99 për qind të fëmijët të pavaksinuar, ka edhe një numër të vogël të fëmijëve që nuk kanë pranuar vaksinë, por unë mendoj se kjo ndërkohë do të menaxhohet me atë që u kërkua që detyrimisht të kenë karton vaksinal”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Nga Shoqata “Nga ne për ne”, do të organizojnë një tribunë ku kjo temë do të diskutohet me ekspertë dhe mjekë eminentë nga rajoni. Janë ftuar edhe ministrat e arsimit, shëndetësisë, drejtësisë si dhe përfaqësues të institucione shëndetësore, por ende nuk ka konfirmim për pjesëmarrjen eventuale të tyre.
FLUTURA LATIFI
