Maqedoni

Nisma kundër ndotjes, masa konkrete për uljen e ndotjes së ajrit

18.09.2019 16:05

Në ditën e hapur për nisma kundër ndotjes, pushteti qendror, pushteti lokal dhe sektori civil....

Në ditën e hapur për nisma kundër ndotjes, pushteti qendror, pushteti lokal dhe sektori civil prezantuan masat për ajër të pastër në qytetet, ku ndotja e ajrit, sidomos në sezonin e dimrit, është e lartë. Ministria e Ambientit në kuadër të këtyre masave theksoi aplikimin e ngrohjes ekologjike në shumë shkolla, stacione policore, kazerma, por edhe në amvisëri. Qyteti i Shkupit e ka themeluar Shoqatën aksionare “Sistemet energjetike”, e cila veprimtari primare e ka ngrohjen e amvisërive.
 
“Përveç aktiviteteve që i kemi me institucionet publike, së shpejti do të dalë zgjidhja ligjore e zëvendësimit të ngrohjes me dru te amvisëritë me invertorë të cilët do të financohen qind për qind”,- tha zëvendësministri i ambientit jetësor, Jani Makraduli.
 
“Në seancën e së enjtes të Këshillit të qytetit të Shkupit do të përfundojmë të gjitha vendimet me qëllim që qyteti ta marrë rrjetin e ngrohjes, apo të paktën një pjesë të saj, që të jemi në pozitë që si qytet të jemi faktor i politikave energjetike dhe qytetarëve të Shkupit të mund t’u ofrojmë pako sociale dhe beneficione për kyçje në rrjetin e ngrohjes”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Partneriteti mes pushtetit qendror e atij lokal dhe sektorit civil do të kontribuojë për përmirësimin e cilësisë së ajrit, vlerësojnë nga Shoqata ambientaliste “Eko Vetëdija”, nga e cila kanë paraqitur nismën për strategji afatgjate.
 
“Nisma do të jetë një mundësi e mirë që së bashku të ulemi në tavolinë dhe si partner të ndërtojmë dokument strategjik që do të na japë një rrugë nëpër të cilën duhet të ecim 20 vitet e ardhshme”,- tha përfaqësuesja e “Eko Vetëdija”, Ana Qoloviç. 
 
Shkupi, Tetova, Kërçova dhe Manastiri janë qytetet ku është evidente ndotja më e lartë e ajrit dimrin e kaluar. Industria, komunikacioni dhe amvisëritë janë shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit. 
 
GYLTENE SINANI