Maqedoni
Rasti “Zhvatja”, Ruskoska kërkon vazhdimin e paraburgimit për Janevën
18.09.2019 16:26
Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion kërkon nga Gjykata Themelore që Katica Janevës...

Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion kërkon nga Gjykata Themelore që Katica Janevës t’i vazhdojë paraburgimin për 30 ditë tjera. Nga prokuroria e Vilma Ruskovskës kërkojnë që paraburgimi të vazhdohet si pasojë e rrezikut nga arratisja si dhe ndikimi i saj ndaj dëshmitarë. Paraburgimi 30-ditor, ish prokurores speciale i përfundon të premten. Për vazhdimin e paraburgimit, Gjykata Themelore duhet të prononcohet në afat prej tre ditëve.
Kërkesa për zgjatjen e paraburgimit, VMRO-DPMNE: Pjesë e farsës që zgjat me muaj
Nga VMRO-DPMNE akuzojnë se kërkesa për vazhdimin e paraburgimit është vetëm një farsë, ndërkaq kërkuan që hetimi të drejtohet nga koka e oktopodit.
“Gjykata këtyre ditëve do të duhet të vendosë se a do të veprojë sipas paralajmërimeve të Zaevit që Katica Janeva të lirohet nga paraburgimi. T’iu rikujtoj, ashtu sikurse ka paralajmëruar Zaev në takimin e zgjeruar të liderëve se ai ka pasur njohuri se Janeva do të transferohet në paraburgim shtëpiak. Nuk është e vështirë që të shihet i gjithë ky teatër, Prokuroria e Ruskoskës të kërkojë zyrtarisht vazhdimin e paraburgimit, ndërkaq Katica Janeva dhe Fërçkovska, të kërkojnë lirim. Një farsë e vërtetë”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
Rasti “Zhvatja”, avokatja e Janevës kërkon lirimin nga paraburgimi
Avokatja e Janevës, Irena Fërçkoska, kërkoi që gjykata t’i ndërpresë paraburgimin ish prokurores speciale dhe t’i shqiptojë masë më të butë ndëshkuese për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Si garanci se nuk do të arratiset, Janeva ka ofruar dy banesat e fëmijëve të saj në vlerë prej 160 mijë euro si dhe një banesë të një familjari të afërm.
MERAL ISMAILI
