Ekonomi
Odat Ekonomike RMV-Kosovë-Shqipëri: Bashkëpunim ka, në RMV mungon infrastruktura
18.09.2019 16:47
Bashkëpunimi ekonomik ekziston, por potenciali ekzistues nuk shfrytëzohet...

Bashkëpunimi ekonomik ekziston, por potenciali ekzistues nuk shfrytëzohet, thonë përfaqësuesit e bizneseve nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria të mbledhur në forumin ekonomik në Shkup. Kërkuan nga autoritet të nisin punët konkrete në teren për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, por edhe lehtësimin e proceduarve administrative dhe heqjen e barrierave jotarifore me të vetmin qëllim, rritjen e shkëmbimit tregtar.
“Barrierat siç janë potencuar edhe shumë herë janë infrastrukturore, rrugore, barrierat jotarifore dhe probleme të tjera të cilat janë në përditshmëri të realizimit të qëllimeve tona”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
“Rezultate kemi, natyrisht është shfrytëzuar shumë nga të dyja anët, por pjesa e mbetur nga ana e Maqedonisë duhet të plotësohet në mënyrë që të rritet ky bashkëpunim. Por, edhe ne jemi të interesuar që të rrisim bashkëpunimin dhe bizneset tona të jenë më prezente në Maqedoni”,- tha kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi.
“Në qoftë se vendet tona duhet të shërbejnë si një trekëndësh i fortë i ekonomisë komplementare dhe shkëmbimit tregtar , duhet patjetër që të gjitha brinjët e trekëndëshit të funksionojnë. Në rastin konkret kemi një mangësi të theksuar në pjesën e infrastrukturës rrugore të Maqedonisë qoftë kundrejt Shqipërisë, qoftë kundrejt Kosovës, të cilat realisht janë problematika që kanë të bëjnë me qarkullimin e mallrave dhe të udhëtarëve”,- u shpreh kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Nikolin Jaka.
Autostrada Shkup –Bllacë, Zaev: Qëllimi ynë, të përfundojë sa më shpejt
Autoritetet premtojnë përfundimin e shpejtë të procedurave për autostradën. Por, rruga deri në Bllacë ende është në fazën tenderuese të pjesës së parë, e pjesa tjetër e 12.5 kilometrave do të tenderohet me gjasë fillim vitin që vjen.
“Tenderin për ndërtimin e pjesës së parë të autostradës Shkup-Bllacë e kemi shpallur. Besoj që deri në fund të vitit apo fillimit të vitit të ardhshëm do të nënshkruhet edhe tenderi për pjesën e dytë. Qëllimi ynë është që me një intensitet më të shpejtë të ndërtojmë autostradën Shkup –Bllacë, që përben gjithsej 12.5 km”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Pika e përbashkët kufitare me Shqipërinë, Bekteshi: Grupet e punës po bëjnë gati projektin
Punohet ndërkohë edhe për vendosjen e shpejtë të sistemit një vendkalimi në kufirin me Shqipërinë.
“Për momentin jemi duke formuar grupet e punës të cilat në nivel teknik do të dërgojnë në qeveritë përkatëse edhe propozimin konkret dhe shpresojmë që në një afat shumë të shkurtër do të kemi pikë të përbashkët edhe midis dy vendeve tona, por paralelisht po punojmë edhe në përmirësimin e infrastrukturës edhe në heqjen e barrierave jotarifore, administrative, por edhe teknike”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Forumin e përshëndeti edhe kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, për të cilin bashkëpunimi ekonomik përçon mesazhin se vendet tona janë pjesë e një rajoni stabil dhe të sigurt.
ZEKIRJA MEXHITI
