Maqedoni
Vendimi i Apelit për rastin “Kumanova”, Raufi: Nuk u pranuan provat, shpresa te Supremja
18.09.2019 17:30
Pala mbrojtëse në rastin “Lagja e Trimave” e vlerëson si presedant vendimin e Gjykatës së Apelit...

Pala mbrojtëse në rastin “Lagja e Trimave” e vlerëson si presedant vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila konfirmoi dënimin e shkallës së parë. Avokati, Naser Raufi, nuk ka dyshime se Apeli nuk i ka marrë parasysh dëshmitë e propozuara për ta kthyer rastin në rigjykim. Paralajmëron ankimim të vendimit në Gjykatën Supreme.
“Vendimi erdhi me inercion ashtu siç ka gjykuar shkalla e parë. Ju mediat keni qenë prezentë gjatë gjykimit dhe mund të them se ky është një presedant që asnjë provë prej 200 të propozuarave nga pala mbrojtëse nuk është pranuar dhe është një aktgjykim se e kemi pritur, pasi që gjithçka ndikohet nga vendimi i shkallës së parë. Ju e dini se edhe rastet e tjera janë zgjidhur tek Gjykata Supreme dhe besojmë se shansi ynë është në këtë gjykatë. Mendoj se tani për një interval kohor të shkurtër do të marrim këtë vendim dhe do ta bëjmë ankesën, pasi që kemi të drejtë për një ankesë tjetër si mjet i rregullt juridik pranë gjyqit suprem”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Avokatët e të dënuarve thonë se vendimi i Gjykatës së Apelit nuk ka qenë unanim dhe se sipas informacioneve të tyre, vendimi ka qenë 3 me 2 për të konfirmuar dënimin e shkallës së parë.
Më 2 nëntor të vitit 2017, Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e “Grupit të Kumanovës”, të akuzuar për “terrorizëm” për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015. Përndryshe, Naser Raufi dhe Asmir Alispahiq u gjobiten me nga 500 euro për shkak të vonesës në seancën gjyqësore të rastit “Monstra” teksa jepnin deklarata për rastin “Lagja e trimave”.
REXHEP QAMILI
