Maqedoni

Rasti "Monstra", u dëgjuan “bombat” e para, ka 133 mijë dëshmi. Mbrojtja e të dëmtuarve: Nuk dëgjuam asgjë thelbësore. Fetahi: Kini durim deri në fund të gjykimit

18.09.2019 18:06

Filloi më në fund publikimi i “bombave” për rastin “Monstra”. Prokurorët e rastit mbeten Fatime Fetain dhe Gavrill Bubevskin...

Filloi më në fund publikimi i “bombave” për rastin “Monstra”. Prokurorët e rastit mbeten Fatime Fetain dhe Gavrill Bubevskin, që tanimë përfaqësojnë Prokurorinë Publike.
 
Në seancë u dëgjuan 25 bisedat e para që prokuroria ka për këtë rast dhe janë gjithsej 133 mijë dëshmi ku bëjnë pjesë transkripte, SMS porosi dhe dëshmi të tjera plotësuese.
 
Në bisedat e para u dëgjuan zërat e Gordana Jankullovskës, Nikolla Gruevskit, Blerim Bexhetiti, Musa Xhaferit, Sasho Mijallkovit, Mile Janakievskit etj, tek diskutojnë për rastin. Në biseda dëgjohen cilësimet rreth vrasjes, shkëmbime informatash me njëri-tjetrin për arrestimin e grupit dhe ekstradimin e dy të akuzuarve nga Kosova.
 
Dhjetë ditë pas vrasjes, Jankullovska ja pohon Kotevskit se nuk posedojnë asgjë, në të kundërtën do të merrnin masa të arrestit. Mes bisedave të tjera, Lupço Todorovski dhe Sasho Mijallkov bisedojnë për atë se si t’i bëjnë presion  ish ministrit të drejtësisë, Blerim Bexheti, që të nënshkruajë kërkesën për ekstradimin e dy të akuzuarve nga Kosova.
 
Pas përfundimit të dëgjimit, mbrojtja e palës së dëmtuar tha se nuk dëgjuan asgjë përmbajtësore edhe pse “bombat” ka kohë që priteshin nga opinioni për të zbardhur të vërtetën.
 
“Për këto katër orë siç e patë edhe ju nuk e di nëse kishte një "bum" të tillë, pasi diçka thelbësore nuk ka në “bombat”. Është për t’u habitur se si mundët që kësi lloj lëndë dhe raste të rënda, fshehtësi dhe hetime të ju tregohen personave që nuk janë pjesë e hetimit, p.sh. Orce Kamçevit dhe Olivera Trajkovëskës. Ajo që më së shumti më ra në sy ishte se si pushteti ka ndikuar në mars 2013, se nëse të mbahen seanca për “Monstrën” apo jo. Është për të ardhur keq”,- tha avokatja e palës së dëmtuar, Dafinka Ivanova.
 
Por, prokurorja Fetahi fton palët të kenë durim deri në fund të gjykimit. 
 
“Ajo që duhej të dëgjohet u dëgjua. Kush janë njerëzit që flasin në ato biseda, koha e saktë, përmbajtjen e tyre e keni të qartë pasi ishit prezentë në gjykim. Analizë të çdo prove, duke përfshirë këtu edhe bisedat e sotme, do të ketë në fjalët përfundimtare, deri atëherë duhet të keni durim”,- theksoi prokurorja publike, Fatime Fetai.
 
Shpalosja e dëshmive të radhës për këtë rast do të realizohet në seancat e caktuar më 4 dhe 10 tetor.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI