Botë

Rinne: Britania deri në fund të shtatorit mund të dalë me plan të ri për BREXIT

19.09.2019 11:02

Kryeministri i Finlandës, Antti Rinne, tha se kryeministri i Britanisë, Boris Johnson...

Kryeministri i Finlandës, Antti Rinne, tha se kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, ka kohë deri në fund të shtatorit për të paraqitur planin e tij për Brexit, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Rinne tha se ai dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u pajtuan që Britania duhet të dalë me propozime të shkruara deri më 30 shtator; në të kundërtën, siç thanë ata, "merr fund".
 
"Ne do të vazhdojmë të negociojmë dhe do të dalim me propozime në kohë të duhur", tha një burim i Qeverisë britanike.
 
Johnson ka thënë më herët se marrëveshja me Bashkimin Evropian, mbi kushtet e divorcit, është e mundur të arrihet në një samit të udhëheqësve të BE-së më 17 tetor, por ai ka këmbëngulur se Brexit-i do të ndodhë në afatin e 31 tetorit me ose pa marrëveshje. Vitin e kaluar, paraardhësja e Johnsonit, Theresa May, ka arritur marrëveshje me BE-në për Brexit-in, por ajo është refuzuar tri herë nga Parlamenti - çfarë e ka detyruar Mayn të japë dorëheqje.