Maqedoni

Anulohet seanca për "Talir 2", mbrojtja konteston prokuroren Ristoska

19.09.2019 16:13

Seanca gjyqësore për rastin "Talir 2", që ka të bëjë me ndërtimin e selisë së VMRO-DPMNE-së...

Seanca gjyqësore për rastin "Talir 2", që ka të bëjë me ndërtimin e selisë së VMRO-DPMNE-së, u anulua sepse avokatët mbrojtës këmbëngulën se nuk kishin autorizimet e nevojshme për të përfaqësuar një lëndë që udhëhiqet tashmë nga Prokuroria Publike, pasi, sipas tyre, autorizimet e mëparshme kanë vlejtur vetëm kur lënda ishte nën kompetencë të PSP-së. Ata kontestuan edhe autorizimin e prokurorit nga Prokuroria Publike që në këtë rast vazhdon të jetë ish prokuroja e PSP-së, Lençe Ristoska. Kjo e fundit i cilësoi reagimet si të pabaza dhe përkujtoi se autorizimet e avokatëve vazhdojnë deri në fund të lëndës pavarësisht se të njëjtën më nuk e përfaqëson PSP. Ristovka propozoi ndërkohë që në seancat e radhës të ftohen përfaqësues të partisë.
 
"Duke pasur parasysh se janë caktuar masa për sigurimin e pronës, të evidentuar pikërisht në emër të VMRO-DPMNE-së, sipas Ligjit për procedurë penale, ata kanë të drejtë të marrin pjesë në procedurë dhe propozoj që në seancën e radhës të ftohet edhe nga një përfaqësues i tyre",- tha prokurorja pubike, Lençe Ristoska.
 
“Talir 2” është një nga rastet e hapura nga PSP, ku të akuzuar janë ish kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe ish sekretari gjeneral i Qeverisë, Kirill Bozhinovski. Sipas akuzës, të akuzuarit kanë mundësuar që personi juridik, Shoqata aksionare "Beton" në Shkup të ndërtojë selinë e VMRO-DPMNE-së edhe pse në të njëjtën kohë ka pasur të kontraktuar marrëveshje për furnizime publike me organe shtetërore dhe institucione publike. Kjo sipas prokurorisë, është në kundërshtim me Ligjin për partitë politike, Ligjin për financimin e partive politike dhe Ligjin për marrëdhënie të detyrueshme.
 
Në procedurë gjyqësore është edhe lënda "Talir", e cila ka të bëjë me financimin joligjor të partisë, akuzë me të cilën sërish janë të përfshirë Nikolla Gruevski dhe Kirill Bozhinovski si dhe ish ministri i transportit, Mile Janakievski, Ilija Dimovski, Leko Ristovski dhe VMRO-DPMNE si subjekt juridik. Gjykimi për rastin "Talir 2" do të vazhdojë më 15 tetor. Edhe seanca gjyqësore për rastin "Tarifa" ka vazhduar me prokurorin e mëparshëm të PSP-së tani të autorizuar nga Prokuroria republikane, Trajçe Pelivanov.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI