Maqedoni

Rritja e pagave të punonjësve në arsim, SAShK: Presim zgjidhje, ose radikalizojmë veprimet

19.09.2019 16:39

Fundjava do të sjellë takimin e shumëpritur mes MASh dhe SAShK-ut....

Rritja e pagave për 25 për qind në sektorin e arsimit fillor, të mesëm, sipëror dhe punonjësve shkencorë, do jenë temat e debatit, sqaron për TVM2 kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov. Sipas tij, tanimë projektohet buxheti për vitin 2020 dhe do të dihet saktë se sa mjete do të dedikohen për sektorin e arsimit, ku pagat për momentin janë ndër më të ulëtat në rajon. Nedellkov shprehet optimist se do ketë zgjidhje me MASh-in, në të kundërtën kryesia e SAShK-ut do të shqyrtojë veprimet e saj.
 
“Unë jam optimist dhe mendoj se do të gjejmë zgjidhje dhe do të ketë mundësi që shteti të ndajë aq mjete sa ne kërkojmë në këtë moment, por nëse pritjet tona nuk realizohen do të sjellim vendim se a do të kemi protesta, grevë apo formë tjetër e presionit mbi shtetin në këtë moment nuk mund ta them, por duhet të potencoj se është shumë me rëndësi të gjendet gjuhë e përbashkët në të ardhmen”,- tha kryetari i SAShK-ut, Jakim Nedellkov.
 
Ademi: Shqyrtojmë parametrat për rritje të sërishme
 
Edhe ministri i arsimit konfirmon se do realizohet takim dhe do të shqyrtohen parametrat për rritjen e sërishme të pagave.
 
“Do të ulemi prapë, nuk është edhe veprim i lehtë se po shqyrtohen të gjitha parametrat për të cilat kemi marrë përsipër të bëjmë aktivitete të cilat kanë edhe implikime të caktuara financiare, për këtë arsye po shqyrtohen këto parametra, por për përqindje konkrete nuk është diskutuar”,- theksoi ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
 
Nga SAShK thonë se negociatat do të vijojnë deri në fund të muajit shtator, ndërsa në fillim të tetorit kryesia e SAShK-ut do të debatojë për zgjidhjen që do ofrohet dhe se a do të dakordohet kryesia me vendimin e marrë.
 
FLUTURA LATIFI