Maqedoni

Vendimi për fillimin e negociatave, Palmer optimist për datën për RMV-në në tetor. Vendimi për Shqipërinë, Palmer për VOA: Të rikthehet dialogu politik. Marrëdhëniet Kosovë - Serbi, Palmer: Presim heqje të taksës dhe rifillim të dialogut

19.09.2019 17:15

I dërguar i posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, në një intervistë për Zërin e Amerikës...

I dërguar i posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, në një intervistë për Zërin e Amerikës, është shprehur optimist se Maqedonia e Veriut do të fillojë negociatat për anëtarësim, pas mbledhjes së Këshillit Evropian më 16 tetor, sepse i ka përmbushur kriteret.
 
Megjithatë, thotë se Ligji për Prokurorinë Speciale do të ndihmonte shumë për të konfirmuar se vendi e merr me seriozitet procesin reformues.
 
“Maqedonia e Veriut mund ta ndihmonte çështjen e saj duke vazhduar të ndjekë agjendën e reformave, duke zbatuar Ligjin e ri për Prokurorinë Speciale. Konsultimet dhe bisedimet për këtë çështje në Shkup janë duke vazhduar. Ne do të dëshironim që të bashkëpunonim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut në mbështetje të agjendës së reformave dhe dëshirojmë ta ndihmojmë vendin të ecë përpara. Gjithashtu kemi shpresë se Maqedonia e Veriut do të ecë përpara në rrugën e NATO-s dhe të bëhet vendi i 30 anëtar i NATO-s qysh në dhjetor, nëse gjërat ecin mirë”,- deklaroi i dërguari i posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer.
 
Sa i përket Shqipërisë që është në të njëjtën pako me Maqedoninë e Veriut, ShBA-të inkurajojnë zgjidhjen e ngërçit politik. 
 
“Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë. Ndërkohë, është e rëndësishme që Shqipëria të krijojë një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që ajo të gjykojë mosmarrëveshjet që do të lindnin në sferën politike”,- theksoi Palmer. 
 
ShBA-të dëshirojnë ndërkohë rikthimin e dialogut Kosovë-Serbi. Palmer është i prerë se ShBA-të presin që qeveria e ardhshme e Kosovës të jetë një qeveri pro dialogut, e gatshme të pezullojë tarifat, e gatshme të formojë një ekip negociator të fuqizuar dhe të gatshëm të angazhohet në tryezën e bisedimeve me seriozitetin e qëllimit për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
 
Serbia, sipas tij, do të përgjigjej pas kësaj me disa stimuj të tjerë që do të përfshinte pezullimin e mundshëm të fushatës për bllokimin e njohjeve.
 
Megjithatë, në intervistën për Zërin e Amerikës, Palmer sqaron se me gjithë këshillat dhe mbështetjen që u jepet, ata që vendosin për fatin e qytetarëve  të tyre janë liderët e Kosovës dhe të Serbisë. 
 
GYLTENE SINANI