Maqedoni

LD propozon një njësi zgjedhore, Trajanov: Fund monopolit të partive të mëdha. LSDM: Pro propozimit, presim konsensus

19.09.2019 17:49

Vetëm disa ditë pas ngritjes së iniciativës së 12 deputetëve në Kuvend për riorganizimin e njësive nga gjashtë në një njësi zgjedhore...

Vetëm disa ditë pas ngritjes së iniciativës së 12 deputetëve në Kuvend për riorganizimin e njësive nga gjashtë në një njësi zgjedhore, edhe Lidhja Demokratike dorëzoi në Kuvend propozim ligj për ndryshimin e modelit zgjedhor. Kryetari i LD-së, Pavle Trajanov, pret mbështetje edhe nga LSDM.
 
Ky model, sipas tij, do të sjellë mbikëqyrje më të madhe të Parlamentit mbi ekzekutivin dhe njëkohësisht i jep fund shpërndarjes së votave të partive të vogla. 
 
“Vlerësojmë se është koha t’i jepet fund monopolit të dy partive politike, të zgjedhim një model proporcional me të cilin kuvendi do të ketë vend për partitë e vogla. Sipas analizave tona, nga 100 deri në 150 mijë vota humben në partitë e vogla dhe rrallë ndonjëra nga ato e vetme arrin të hyjë në parlament. Tani vendimet merren në partitë e mëdha dhe nuk i merr kuvendi, siç është praktikë e vendeve të zhvilluara demokratike. Politikat janë të centralizuara pa diskutime të shëndosha dhe kritika. Ky model zgjedhor do ta ndryshojë këtë pamje, do të ketë diversitet politik, ndërsa partitë e vogla do të jenë të zëshme në përpjekjet për sjelljen e ligjeve cilësore në interes të qytetarëve”,- tha kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov.
 
LSDM mbështet këtë model zgjedhor, e madje potencon se modeli me një njësi zgjedhore dhe lista të hapura janë premtimet e fushatës parazgjedhore dhe mbesin prioritet i programit partiak.
 
“Presim që në kuadër të grupeve të punës të diskutohet dhe të merremi vesh për Kodin Zgjedhor dhe ndryshimin e ligjit, ku presim të gjendet zgjidhje. Ne mbesim në qëndrimin e njëjtë, por keni parasysh se që të sjellim një vendim ligjor, e në veçanti kur bëhet fjalë për modelin zgjedhor, kemi nevojë për një census më të gjerë në kuvend”,- u shpreh zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
 
Edhe blloku politik shqiptar ka dalë tashmë me kërkesat e tij për këtë çështje. Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar që vendi të ketë tetë njësi zgjedhore, ndërsa Besa është në favor të tri njësive zgjedhore me lista të hapura. 
 
LEUNORA KALIQI