Maqedoni
Sektori IT, investim në arsimim për punëtorët cilësorë
19.09.2019 18:19
Industria teknologjike është industria e së ardhmes, por për të pasur sukses...

Industria teknologjike është industria e së ardhmes, por për të pasur sukses, patjetër që duhet investuar në arsimimin e të rinjve për të stimuluar kështu rritjen e fuqisë punëtore në industrinë e Informatikës, teknologjisë dhe komunikimit.
MASIT në bashkëpunim me USAID-in, kanë mbledhur ekspertët në një forum në Shkup, për të diskutuar pikërisht mundësitë për investime në arsimin e të rinjve në sektorin ITK, që do të plotësonin më pas nevojat e sektorit privat për punëtorë cilësorë.
Ekspertët kërkojnë rritjen e numrit të studentëve në fakultetet teknike dhe investime në stafin arsimor, e padyshim paga më të larta për të ndaluar ikjen e të rinjve të talentuar.
“Paga duhet të jetë e mirë dhe në sektorin e ITK në Maqedoni është e mirë, por faktorë të tjerë, siç është ulja e taksave, duhet të merren parasysh, arsimi, ndryshimi i kurikulave të fakulteteve, mënyra e regjistrimit të studentëve dhe rikualifikimit. Sektori i ITK-ut ofron shumë mundësi”,- tha Aleksandra Çakarevska nga MASIT.
“Ne investojmë shumë në edukimin e punonjësve dhe e shohim atë si një investim. Kjo është mënyra se si ne përpiqemi t'i mbajmë të rinjtë dhe punonjësit në industrinë e informatikës. Paga mesatare e një programeri është 1500 deri në 2000 euro”,- u shpreh Dejan Gostimir nga Industria IT, Kroaci.
Forumi ka mundësuar që një numër i përfaqësuesve të sektorit privat t’i shpjegojnë sfidat dhe vërejtjet e tyre, si dhe të japin kontributin e tyre për zgjidhje më të mira që do të mbrohen përmes dialogut publik-privat.
SEDAT SELIMI
